Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i pyetur nëse rrezikohet mandati i dytë i Partisë Mundësia në qarkun e Tiranës, pas vendimit për rinumërimin e votave në këtë qark, shprehet se çdo gjë është e mundur në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Shehaj shprehet se është pro rinumërimit dhe se fatmirësisht sipas tij posedojnë filmimet e numërimit dhe nuk mund të ketë manipulime.

Blendi Fevziu: Shehaj je dakord me rinumërimin? Mund të rrezikohet mandati juaj?

Agron Shehaj: Pse të mos rinumërohen. Çdo gjë është e mundur, sidomos në Shqipëri. Për fat të mirë kemi filmimet, skandalizimet e para. Nëse ka pasur manipulime, e përsëris në Shqipëri mund të ndodhë gjithçka. Votat nuk i ka numëruar Partia Mundësia, i ka numëruar numëruesit e partisë Socialiste dhe numëruesit e Partisë Demokratike. Tani që janë bërë lëmsh me votat e kandidatëve është e qartë. Aty do të ketë çudira. Kurse vëmendja për numërimin e votave të partive politike ka qenë shumë madhe, kanë qenë gjithë të përqëndruar.

Blendi Fevziu: Shehaj se s’të kam pasur më pas zgjedhjeve, je i kënaqur me rezultatin?

Agron Shehaj: Tani nëse e krahasojmë me pritshmëritë e të tjerëve, që votat për partinë Mundësia do të shkonin dëm, rezultati është inkurajues. Nëse e krahasojmë me pritshmëritë që kishim ne, sigurisht ne synonim që do të kishte qenë një rezultat shumë i mirë që të kishim një grup parlamentar.

Shehaj thekson se “Mundësia” ka marrë më shumë vota nga zonat urbane, teksa këtë e lidhi me faktin se vizioni i tyre ishte më i ndërlikuar dhe kjo ndoshta mesazhi i tyre nuk ka arritur dot në këto zona rurale.

“Ne kemi marrë vota kryesisht në  zonat urbane në qendrat e qyteteve, në Vlorë, Durrës dhe Fier. Është një përqindje e jashtëzakonshme duke qenë një forcë politike e re. Në zonat rurale nuk jemi fare mirë. Ne ishim e vetmja forcë politike që kishim një mesazh të qartë. Nuk bëmë pazare me askënd, as në distancë. Ne kemi folur për një vizion. Ishte pak më e ndërlikuar të përqafoje vizionin tonë. Mbase në zonat rurale ky mesazhi ynë nuk ka pasur mundësi të shkojë. Ajo që është shumë e rëndësishme për ne është fakti që votues më të thelluar kanë përqafuar vizionin tonë”, shprehet Shehaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko