Pas zgjedhjeve të 11 majit, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, është rikthyer në ambientet e Kuvendit.
Prej ditës së parë të seancës së re parlamentare, Xhixho është parë të hyjë në Kuvend në mënyrë të heshtur, duke shmangur çdo kontakt me deputetët. Në korridore, ajo ka kaluar pranë shumë kolegëve pa i përshëndetur, duke preferuar të mos përfshihet në asnjë bisedë apo koment politik.
E njëjtë duket pamja edhe në oborr, ku deputetja preferon që të nxitojë hapat, duke mos dashur që të ketë as edhe një përshëndetje me të tjerët. I vetmi person që ajo ka përshëndetur është deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj.
Ata janë parë të shkëmbejnë disa fjalë në hyrje të sallës plenare, ndërsa për pjesën tjetër të deputetëve, Xhixho ka ruajtur një heshtje të ftohtë dhe indiferente.
Në rrjetet sociale, deputetja ka qenë po aq e heshtur, pa postime apo reagime politike pas zgjedhjeve. As në media nuk ka dhënë ndonjë intervistë apo prononcim për rikthimin në Kuvend.