Një situatë e tensionuar është krijuar në rrugët e Los Angeles, pas tre ditësh trazirash kundër arrestimeve masive të emigrantëve të paligjshëm nga administrata Donald Trump.

Protestat vazhdojnë në rrugë, pavarësisht kimikateve dhe plumbave të gomës të qëlluar nga Garda Kombëtare, dhe ndërsa rreth 500 marinsa janë në gatishmëri për të ndërhyrë.

Garda Kombëtare u vendos rreth ndërtesave qeveritare ndërsa policia dhe protestuesit u përleshën mes tyre si reagim i të dytëve ndaj bastisjeve të agjencisë federale të imigracionit (ICE) për të arrestuar emigrantë të paligjshëm në Los Angeles.

Vendimi i Donald Trump për të dërguar Gardën Kombëtare në përgjigje të protestave kundër politikave të tij dhe të administratës së tij për imigracionin ka shkaktuar reagime të ashpra.

Në një postim në X, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, kritikoi më tej presidentin amerikan dhe i bëri thirrje atij të ndërpresë misionin e Gardës Kombëtare. “Donald Trump ka krijuar një krizë dhe po e ndez situatën. Nëse ai nuk mund ta zgjidhë, do ta zgjidhim ne,” theksoi ai, duke shtuar se “Donald Trump duhet të japë dorëheqjen. Ai duhet të japë dorëheqjen.”

Guvernatori ju drejtua dhe protestuesve: “Aktet e dhunshme nuk do të tolerohen. Do të arrestoheni. Do të ndiqeni penalisht. Ju nuk po dëmtoni vetëm ndërtesat dhe pronën. Po shkatërroni themelet e demokracisë sonë. Demokracia është në rrezik. Donald Trump po ju përdor si pretekst për të militarizuar një qytet dhe për të anashkaluar demokracinë tonë.” Në të njëjtën kohë, ai theksoi se dëshiron mbrojtjen e protestuesve paqësorë në mënyrë që ata të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre, si dhe mbrojtjen e forcave të zbatimit të ligjit.

Pavarësisht vendosjes së Gardës Kombëtare, demonstratat kanë një pjesëmarrje të madhe. Kimikate dhe plumba gome u përdorën për të shpërndarë tubimet në një kompleks federal dhe në Autostradën 101, ku protestuesit kishin bllokuar trafikun. Në disa zona, automjeteve të parkuara iu vendos flaka. /teshesh.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko