Një projektligj për shërbimin e jashtëm, i depozituar në Kuvend, të cilin e ka siguruar gazeta “Panorama”, parashikon që jo vetëm diplomatët e rinj, por edhe ato që kanë shërbyer për një kohë të gjatë në ambasadat e Shqipërisë në botë do të testohen, pavarësisht karrierës apo gradave që kanë marrë ndër vite.
Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre. Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor.
Konkretisht kreu VI, i projektligjit trajton statusin e diplomatit të karrierës si: punësimi i diplomatëve të karrierës jashtë Shërbimit të Jashtëm, në pozicione që mbulojnë marrëdhëniet me jashtë në institucionet kushtetuese dhe administratës shtetërore pas marrëveshjes përkatëse ndërmjet ministrisë dhe këtyre institucioneve, si dhe në organizatat ndërkombëtare publike në të cilat Republika e Shqipërisë është anëtare apo kandidate për anëtarësim, për periudha të përkohshme.
Periudha konsiderohet vijim i pandërprerë i statusit të diplomatit dhe njihet për efekt të llogaritjes së afatit kohor të nevojshëm për përfitimin e gradës diplomatike personale, zhvillimi i karrierës diplomatike; procesi i marrjes së gradave diplomatike dhe konsullore; procedurat e emërimit në misionet diplomatike dhe postet konsullore, mandati i diplomatëve të emëruar jashtë vendit, rastet e pezullimit nga detyra si dhe humbjes së statusit të diplomatëve; trajtimi financiar si dhe trajtimi i familjarëve të personelit të misionit diplomatik dhe postit konsullor.
Më konkretisht, projektligji: rregullon më mirë fushën e kompetencave të Shërbimit të Jashtëm dhe raportet me institucionet kushtetuese, qendrore dhe vendore në fushën e marrëdhënieve me jashtë; zgjeron hapësirat e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fushën e marrëdhënieve me jashtë, në përputhje me dinamikën e zhvillimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare; rregullon në mënyrë më të qartë procesin e emërimit dhe mbarimit të mandatit të kreut të misionit diplomatik dhe postit konsullor si dhe personelit diplomatik e konsullor; forcon kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës mbështetur në nivelet e tyre akademike; për herë të parë fut si koncept ligjor krijimin e strukturës së Akademisë Diplomatike, si institucion varësie, që do të jetë jo vetëm në shërbim të rritjes profesionale të diplomatëve, por edhe si një strukturë, që, në bashkëpunim me struktura të ngjashme homologe, do të ofrojë kurse dhe trajnime në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare; përcakton në mënyrë më të qartë përfshirjen në misionet diplomatike dhe postet konsullore të personave jashtë karrierës diplomatike etj.
Projektligji i propozuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, parashikon të forcojë kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës, mbështetur në nivelet akademike. Por risi është edhe ngritja e një akademie diplomatike, e cila do të shërbejë për të trajnuar diplomatët e rinj. Akademia diplomatike, si institucion varësie, do të jetë jo vetëm në shërbim të rritjes profesionale të diplomatëve, por edhe si një strukturë, që, në bashkëpunim me struktura të ngjashme homologe, do të ofrojë kurse dhe trajnime në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Gjithashtu, janë shtuar: Akademia Diplomatike si qendër e formimit profesional, e studimit dhe mendimit diplomatik shqiptar; Komisioni i Apelimit, për shqyrtimin e ankesave ndaj Komisionit të Karrierës Diplomatike dhe Disiplinës. Si pjesë e strukturave të shërbimit të jashtëm është parashikuar edhe krijimi i zyrave ekonomike dhe qendrave kulturore.
Në kreun V trajtohen rregullime lidhur me personelin e shërbimit të jashtëm, kërkesat shtesë që duhet të plotësojë kandidati për t’u pranuar në Shërbimin e Jashtëm (krahas atyre të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për nëpunësin civil), që lidhen me kualifikimet gjuhësore dhe trajnimin e dedikuar pranë Akademisë Diplomatike”, – thuhet në relacion.
Ky projektligj vjen si nevojë për të përmirësuar ligjin aktual, i hartuar 25 vite më parë. Zgjeron hapësirat e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fushën e marrëdhënieve me jashtë si dhe siguron pastërtinë e figurës së personelit të jashtëm. Projektligji nuk synon të përafrojë ndonjë normë të BE-së, por sipas relacionit, do të përmirësojë situatën pasi ligji aktual është i vjetër, hartuar 25 vjet më parë.
/Gazeta Panorama