Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Bëhet me dije se kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në sallë, por u përfaqësua nga avokati tij Ermir Beta. I pranishëm ishte biznesmeni Elman Abule me avokaten Romina Zano, Abule edhe ky i akuzuar për disa vepra penale në këtë çështje.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga hetimet është zbuluar një mekanizëm i organizuar korruptiv, që ka lejuar kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa që të përfitojnë nga fondet publike për pasurim personal, përmes veprimeve të paligjshme dhe të kamufluara.

Veliaj po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 episode dhe pastrim parash. Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe që prej asaj kohe ka kërkuar disa herë lirimin nga paraburgimi, pa sukses.

Përmes avokatëve të tij, kryebashkiaku ka kërkuar një masë më të butë sigurie, duke ofruar si alternativë një garanci pasurore, pa përcaktuar një shumë të saktë, duke ia lënë vlerësimin gjykatës.

Megjithatë gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi miratimin e masës së dhënë më herët ndaj Veliaj me “arrest në burg”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko