Skip to content

“DEFENDER 25”/ Ambasada Amerikane: Bashkëpunimi me Shqipërinë, themel për sigurinë e rajonit

Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë zhvilluan një stërvitje intensive në terren në Bizë, si pjesë e stërvitjes “Exercise Immediate Response”, një komponent kyç i  “DEFENDER 25”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin e Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, Gjeneral Brigade Chris McKinney nga Komanda Europiane e SHBA-së (EUCOM), si dhe Gjeneral Brigade Mike LaPoint nga Garda Kombëtare e New Jersey.

Ata iu bashkuan udhëheqësve shqiptarë për të vëzhguar nga afër operacionet dhe për të theksuar rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.

Në një postim në Facebook, Ambasada Amerikane në Tiranë theksoi se stërvitjet e përbashkëta “mbështeten në forcën dhe bashkimin që e mbajnë rajonin të sigurt dhe kombet tona të mbrojtura”.

Stërvitja “DEFENDER 25” synon të testojë dhe forcojë aftësitë logjistike dhe operacionale të NATO-s dhe partnerëve të saj në Evropë, duke garantuar një përgjigje të shpejtë dhe të koordinuar ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.

Postimi i ambasades

Forcat amerikane dhe shqiptare po stërviten krah për krah me aleatët e NATO-s, duke u mbështetur në forcën dhe bashkimin që e mbajnë rajonin të sigurt dhe kombet tona të mbrojtura. Sot në Bizë, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, Gjeneral Brigade Chris McKinney nga Komanda Europiane e ShBA dhe Gjeneral Brigade Mike LaPoint nga Garda Kombëtare e New Jersey iu bashkuan udhëheqësve shqiptarë për të vëzhguar stërvitjen Exercise Immediate Response – një pjesë kyçe e DEFENDER 25 – dhe për të parë se si bashkëpunimi ynë strategjik transformohet në gatishmëri të vërtetë.

“”