VOLTIZA DURO/ Ka hyrë në fuqi vendimi që mundëson studimet e përbashkëta në rajon. Vendimi nr. 314, datë 4 qershor 2025 i Këshillit të Ministrave, miraton marrëveshjen për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor, të nënshkruar në Berlin më 14 tetor 2024.
Kjo marrëveshje e re rajonale hap një epokë të re për mobilitetin akademik dhe bashkëpunimin universitar në rajon. Marrëveshja parashikon që studentët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina të mund të aplikojnë dhe të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të njëritjetrit në të njëjtat kushte si qytetarët e vendit pritës.
“Palët bien dakord t’u japin aplikantëve nga palët e tjera qasje dhe pranim në institucionet publike përkatëse të arsimit të lartë me kritere të njëjta apo të barasvlershme qasjeje dhe pranimi si për aplikantët nga pala pritëse”, thuhet në vendim.
Marrëveshja mbulon të gjitha nivelet e arsimit të lartë dhe nuk cenon marrëveshje të tjera ekzistuese që janë më përfituese për studentët. Palët angazhohen të mos aplikojnë asnjë lloj diskriminimi në bazë të origjinës, përkatësisë etnike apo ndonjë karakteristike tjetër, gjatë procesit të pranimit. Gjithashtu, marrëveshja garanton njohjen e diplomave dhe kualifikimeve të arsimit të mesëm brenda një afati maksimal prej 30 ditësh nga aplikimi. Nëse ky afat nuk respektohet, studentët mund të regjistrohen përkohësisht me një vërtetim nga autoriteti përkatës që procesi i njohjes është në vijim.
“Në rastet kur procedura e njohjes nuk mbyllet brenda 30 ditëve, studenti mund të aplikojë për t’u regjistruar në IAL-në, me një konfirmim nga autoriteti kompetent se procesi i njohjes së kualifikimit të arsimit të mesëm vijon ende”, përcaktohet në vendim.
Palët do të përfshihen në një Komision të Përbashkët që do të hartojë listën e institucioneve të përfshira dhe do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes. Përveç kësaj, secila palë duhet të sigurojë informacion të plotë mbi programet e studimit dhe kriteret përkatëse të pranimit.
Ky vendim pritet të rrisë cilësinë e arsimit në rajon, të nxisë zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe të forcojë lidhjet mes të rinjve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai është pjesë e angazhimeve në kuadër të Procesit të Berlinit dhe një hap konkret drejt integrimit në Tregun e Vetëm të BE-së. Marrëveshja do të hyjë në fuqi për secilën palë 30 ditë pas depozitimit të njoftimit zyrtar të ratifikimit.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut është përcaktuar si pala depozituese, e ngarkuar për të njoftuar zyrtarisht palët për ecurinë e marrëveshjes dhe të gjitha aktet përkatëse që rrjedhin prej saj. /Gazeta Panorama