Duhanpirësit në të gjithë Bashkimin Evropian së shpejti mund të goditen nga një inisiativë serioze financiare. Komisioni Evropian po shqyrton një rritje të konsiderueshme të taksave të duhanit.

Sipas Bild gjermane, Komisioni, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, po propozon që shtetet anëtare të vendosin norma më të larta tatimore në mënyrë që të zvogëlojnë konsumin e duhanit, të parandalojnë sëmundjet dhe të lehtësojnë barrën mbi sistemet e kujdesit shëndetësor.

Në një dokument prej 196 faqesh, Komisioni thekson se masat tatimore janë ndër mjetet më efektive në luftën kundër pirjes së duhanit.

“Taksat më të larta dërgojnë një sinjal të qartë çmimesh se pirja e duhanit është e dëmshme dhe duhet të frenohet në mënyrë aktive“, thuhet në raport.

Sipas propozimit, shuma e taksave në të ardhmen duhet të varet nga zhvillimi ekonomik i secilit anëtar, bazuar në një indeks të veçantë. Në rastin e Gjermanisë, kjo mund të nënkuptojë një rritje të taksave prej 20 përqind, gjë që do të rriste çmimin e një pakete cigaresh deri në një euro, nga mesatarja aktuale prej 9 eurosh në pothuajse 10.

Kjo iniciativë nuk vlen vetëm për cigaret klasike. Komisioni planifikon të përfshijë produktet moderne të nikotinës, siç janë duhani i ngrohur, qeset e nikotinës dhe cigaret elektronike. Përjashtim mbeten mjetet ndihmëse për tërheqjen e nikotinës, siç janë çamçakëzat dhe flasterët.

Megjithatë, industria e duhanit ka reaguar fort. Përfaqësuesit paralajmërojnë për pasojat e mundshme, nga një forcim i tregut të zi deri te humbja e vendeve të punës.

“Ky është një program ekonomik për krimin e organizuar”, tha Jaanus Pauts i JTI.

Drafti i direktivës së re pritet të paraqitet deri në mesin e korrikut. Nëse miratohet, shtetet anëtare do të jenë të detyruara të përshtatin legjislacionin e tyre, gjë që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme për miliona konsumatorë në të gjithë BE-në. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko