Një akt i jashtëzakonshëm guximi dhe humanizmi ka bërë jehonë në Greqi, ku një emigrant shqiptar nga Berati, Ledian Goga,  , është kthyer në hero pasi shpëtoi dy fëmijë nga mbytja në lumin Arakthos, pranë fshatit Neohori të Artës.

Ngjarja ndodhi të mërkurën në mesditë, kur dy fëmijë të moshës 13 dhe 14 vjeç u hodhën në lumë për të notuar, por rrymat e forta dhe thellësia e ujërave i vunë në rrezik serioz për jetën. Djali më i madh kishte tentuar të shpëtonte shokun e tij, por në përpjekje e sipër, rrezikoi të mbytej edhe vetë.

Një i ri që pa skenën vrapoi drejt një kafeneje të afërt dhe kërkoi ndihmë me thirrjen dramatike: “Po mbyten dy fëmijë në lumë!”

Në këtë moment, Ledian Goga, i njohur nga vendasit si “Leo”, nuk hezitoi asnjë sekondë. Ai mori menjëherë makinën dhe shkoi me shpejtësi në vendngjarje. I shoqëruar nga banorë të zonës, hipi në një varkë dhe u hodh në ujë për të kërkuar fëmijët.

“Hyra mes kallamishtes, nuk shihja gjë. U hodha një herë, asgjë. Herën e dytë mora frymë thellë dhe u zhytja rreth tetë metra. Aty e pashë – djali ishte i shtrirë, i palëvizshëm, si i vdekur. E kapa dhe me zor e nxora. Kur dëgjova se kishte edhe një fëmijë tjetër, u hodha sërish. E gjeta me shpinë në fund të lumit, i nxirrte gjak nga hunda dhe goja,” – rrëfeu mes lotësh Goga për mediat greke.

I lënduar në këmbë gjatë përpjekjes për shpëtim, ai u paraqit në spitalin e Artës për ndihmë mjekësore. Pavarësisht plagëve, ai tregoi vetëm përkushtim dhe empati njerëzore:

“Nuk më intereson kush janë, çfarë race apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do të bënte çdo prind. Vetëm fëmijët më rrinë në mendje.”

Fund tragjik, por vendimi fisnik

Dy të miturit, të cilët u nxorën pa ndjenja nga uji, u dërguan me urgjencë në një spital në Patra. Mjekët konfirmuan se të miturit kishin pësuar dëmtime të parikuperueshme në tru për shkak të mungesës së oksigjenit për më shumë se një orë, dhe aktualisht ditën e sotme u konfirmua se janë në gjendje të vdekjes klinike, dhe mbahen në jetë vetëm nga aparaturat.

  • Në një vendim të dhimbshëm por fisnik, prindërit e fëmijëve kanë rënë dakord që të dhurojnë organet e tyre për të shpëtuar jetë të tjera.

Ledian Goga, i cili ka emigruar në Greqi që në moshën 17-vjeçare, jeton prej 24 vitesh në Artë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, të moshës 10 dhe 6 vjeç. Akti i tij ka prekur zemrat e shumë qytetarëve në Greqi dhe Shqipëri, duke u vlerësuar si një shembull i rrallë i humanizmit dhe trimërisë.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko