Konfirmohet vatra e parë e murtajës në qarkun e Korçës, konkretisht në fshatin Shuec të bashkisë Devoll.
Rastet janë evidentuar në një fermë bagëtish, ku ndodhen aktualisht përfaqësues të shërbimit veterinar, të cilët po kryejnë të gjitha procedurat për izolimin dhe menaxhimin e situatës.
Në fermën e Shuecit janë gjithsej 160 krerë bagëti, 15 prej të cilave kanë ngordhur prej murtajës. Grupet e ekspertëve janë në terren për të kontrolluar vatrat, teksa do këqyret në një perimetër prej 3 kilometrash
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun dhe për të shmangur përhapjen e sëmundjes në zona të tjera.
Sakaq, Ministria e Bujqësisë konfirmoi ditën e djeshme praninë e murtajës së ruminantëve të vegjël në Shqipëri, një sëmundje shumë ngjitëse tek delet dhe dhitë, por që nuk transmetohet te njeriu.
Vatrat janë zbuluar në Shkodër, Dibër, Bulqizë dhe Skrapar, me 716 krerë të prekur, 25 të ngordhur dhe 153 të eliminuar.
Për të frenuar përhapjen, është ndaluar përkohësisht çdo lëvizje e gjësë së gjallë (dhen dhe dhi) në të gjithë vendin, përveç rasteve për therje me certifikatë veterinare.
Ministria e Bujqësisë ka angazhuar 39 grupe kontrolli në terren dhe po bashkëpunon me Komisionin Evropian për masat teknike. Fermerët ftohen të raportojnë çdo rast të dyshuar në numrin falas 08003366.