Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Fier–Lushnje, në afërsi të fshatit Savër. Në ngjarje janë përfshirë dy automjete, ndërsa si pasojë e përplasjes janë plagosur shtatë persona, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore dhe po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Lushnjes.
Një automjet furgon tip Mercedes-Benz, që i përkiste një kompanie udhëtimesh dhe po transportonte pasagjerë drejt aeroportit të Rinasit, është goditur nga pas gjatë një parakalimi nga një automjet tjetër tip Mercedes-Benz AMG G63. Si pasojë e përplasjes, furgoni ka dalë nga kontrolli dhe është përfshirë nga flakët.
Shërbimet zjarrfikëse dhe policia mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur nxjerrjen e personave nga mjetet dhe transportimin e tyre drejt spitalit.
Policia rrugore po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit dhe për identifikimin e përgjegjësive.