Shkëmbimet me Izraelin i kushtojnë çdo vit vendit tonë 50-60 milionë euro

Ekonomia shqiptare është e cenueshme sa herë që një krizë ushtarake apo ekonomike shpërthen në një pikë të globit. Fronti i ri i luftës së hapur mes Izraelit dhe Iranit, mund të krijojë probleme, edhe pse efekti i tyre mund të jetë i zbehtë në raport me krizën e çmimeve që solli shpërthimi i luftës Rusi-Ukrainë.

Por, nëse shohim bilancet tregtare, shkëmbimet me Izraelin i kushtojnë çdo vit vendit tonë 50-60 milionë euro, ndërsa ato me Iranin rreth 10 herë më pak. Në këto vende, ne marrim kryesisht, lëndë djegëse, plastikë, aparatura, qelq dhe fruta të thata. Dhe bazuar në volumin që zë, kjo tregti konsiderohet modeste me Izraelin dhe e papërfillshme me Iranin.

Madje edhe për tregun e naftës, për të cilën Irani zë rreth 5% të prodhimit dhe furnizimit global, Shqipëria është jashtë kontratave, pasi pjesa më e madhe e gjithë furnizimeve vjetore  me lëndë djegëse, që arrijnë deri në 615 mijë tonë vijnë nga India, Italia dhe Arabia Saudite.

Pra, me gjithë bllokimin e mundshëm të zinxhirit tregtar, ndikimi pritet të jetë në nivele minimale në disa fraksione të tregut, pasi partnerët tanë kryesorë janë shtetet e Evropës, SHBA dhe Kina, të cilat kanë ristrukturuar tregtinë pas vitit 2022.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko