Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në përmbyllje të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), deklaroi se deklarata nuk u miratua nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse, pasi Serbia dhe Bosnja refuzuan.
Sipas tij, dy vendet kishin pretendimet e tyre për çështje të lidhura me sigurinë, ndërsa shtoi se shtetet e tjera pjesëmarrëse ranë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës është një çështje e padrejtë e që duhej zgjidhur shumë kohë më parë.
Gazetarët: Serbia ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën e përbashkët?
Presidenti i Republikës: Përshëndetje! Faleminderit shumë për gjithë këtë pritje dhe për prezantimin si duhet të një samiti, i cili ka vlerë të madhe për të gjitha vendet e Evropës Juglindore jo vetëm për faktin e një procesi anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe të bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje në mënyrë paqësore dhe bashkëpunuese nëpërmjet dialogut do të sjellë zhvillim, do të sjellë prosperitet, do të sjellë stabilitet dhe paqe për të gjithë rajonin tonë.
Gazetarët: Cili ka qenë qëndrimi i Serbisë?
Presidenti i Republikës: Në fakt, ne sot patëm një qëndrim, ishte deklaratë e Tiranës.
Patjetër që u votua nga shumica e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. U refuzua nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilët kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët.
Ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, një çështje që unë e kam deklaruar në të gjitha daljet e mia publike, është një çështje e padrejtë, një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë, dhe nesër është shumë vonë, sepse sanksionet nuk janë vendosur për politikanët kosovarë, sanksionet janë vendosur për qytetarët e Kosovës, për të pasur shërbime të mira publike.