Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot (17 qershor )vendimin për deklarimin fajtorë të ish-titullares së entit Tirana Parking në varësi të Bashkisë Tiranë, si dhe të katër zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni. 

Ata akuzohen se favorizuan në mënyrë të paligjshme një kompani të zotëruar “de facto” nga ish-kreu i Ujësjellësit, Redi Molla dhe ai i IMT-së, Mariglen Qato, duke e ushqyer atë me tendëra publikë.

Ish-drejtorja e përgjithshme e institucionit Tirana Parking, Eglantina Zere dhe katër zyrtarët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati u morën nën përgjegjësi penale për akuzën “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

SPAK kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin e Zeres me 1 vit burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 muaj heqje lirie.Për katër të pandehurit e tjerë u kërkua masa e dënimit me 9 muaj burg, që me uljen e 1/3-ës së masës mbetet 6 muaj. Po ashtu, u kërkua pezullimi i masës së dënimit dhe vendosja në shërbim prove. Të pandehurit kërkuan pafajësi.

Gjykata vendosi të njëjtën masë dënimi sa kërkoi dhe prokuroria,ku nga aplikimi gjykimit të shkurtuar, e pandehura Eglantina Zere u dënua përfundimisht me 8 muaj burgim, ndërsa katër të tjerët me nga 6 muaj. Ndërkohë, nuk u pranua kërkesa për pezullimin e dënimit

Hetimet 

Sipas SPAK, gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarin e Njësisë së Prokurimit, Kristo Zhulati, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar më 1 tetor të vitit 2019.

Prokuroria vërejti në gjykatë se provat e mbledhura gjatë hetimeve provojnë plotësisht faktin se verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi nuk e kanë bërë anëtarët e KVO-së, por e kanë bërë persona të tjerë që kanë punuar në shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k.

NJOFTIMI

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale, që i përket procedimit penal nr. 75/3, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Eglantina Zere, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të K.Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021).”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Etleva

Deda, me vendimin nr. 41, datë 17.06.2025 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurës Eglantina Zere për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258 dhe 25 i K.Penal (sipas parashikimit para ndryshimeve të bëra me ligjin Nr.43/2021) dhe dënimin e saj me 9 muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Eglantina Zere i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurës Eglantina Zere i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Deklarimin fajtor të të pandehurës Rivjola Baxha për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258 dhe 25 i K.Penal (sipas parashikimit para ndryshimeve të bëra me ligjin Nr.43/2021) dhe dënimin e saj me 9 muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Rivjola Baxha i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurës Rivjola Baxha i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Deklarimin fajtor të të pandehurës Enkelejda Qyta për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258 dhe 25 i K.Penal (sipas parashikimit para ndryshimeve të bëra me ligjin Nr.43/2021) dhe dënimin e saj me 9 muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Enkelejda Qyta i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurës Enkelejda Qyta i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Bruno Koçi për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i K.Penal (sipas parashikimit para ndryshimeve të bëra me ligjin Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 9 muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Bruno Koçi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit Bruno Koçi i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristo Zhulati për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i K.Penal (sipas parashikimit para ndryshimeve të bëra me ligjin Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 9 muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Kristo Zhulati i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit Kristo Zhulati i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Tiranë, më datë 17.06.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko