Seanca gjyqësore ndaj Ervin Salianjit në Gjykatën e Fierit për shqyrtimin e kërkesës së tij për lirimin nga qelia, është shtyrë.
Pas shtyrjes së seancës për me datën 24 Qershor, Ledio Braho, avokati i ish-deputetit demokrat, në një prononcim për mediat ka pohuar se vendimi u mori pasi IEVP Fier, nuk kishte dërguar raportin e vlerësimit.
“Besoj se do të ketë dy seanca deri në marrjen e një vendimi”, ka thënë Braho, duke pohuar se “është në të drejtën e tij për të fituar lirinë edhe pse nuk bëjmë dot orakullin për proceset gjyqësore në Shqipëri”.
“Sot ishte seanca e parë, mungonte raporti i vlerësimit nga IEPV Fier, kështu që u shty për ditën e martë në mënyrë që IEPV Fier të sjellë raportin lidhur me kërkuesin Ervin Salianji. Të pranishme sot ishin të gjitha palët, ne bëmë relatimin e kërkesës sonë, të gjithë argumentet, si kalimin e kohës së 2/3 në burg, si edhe që ai plotëson të gjitha kushtet për ta përfituar lirimin me kushtin para kohe.
Ne kemi qenë të idesë se ai nuk duhet të ishte fare aty, por në këto kushte duhet të ecim me këtë kërkesë. Do të duhet një seancë tjetër ose 2 derisa të ketë një vendim. Besoj do të jetë e suksesshme, por nuk bëjmë dot orakullin për proceset gjyqësore në Shqipëri, por e meriton të përfitojë nga lirimi me kusht.
Kam kontakt të vazhdueshëm me Ervin Salianji. Besoj përderisa përfaqësohet nga avokati, ai e di vetë pse nuk do që të vijë”, tha Ledio Braho, përfaqësuesi ligjor i ish-deputetit demokrat.