Turqia tërheq vijën e ndikimit detar në Detin Egje
Zyrtarët grekë janë ankuar se plani i ri i Turqisë për ndarjen e zonave të ndikimit detar në Detin Egje ndan detin në dy pjesë, duke përfshirë edhe zona përreth disa ishujve grekë nën pretendimet e Ankarasë.
Turqia ka deklaruar se gjysma e Detit Egje bie nën zonën e saj të ndikimit, duke përshkallëzuar më tej mosmarrëveshjet territoriale me Greqinë lidhur me vendosjen e zonave të mbrojtjes detare.
Ky zhvillim vjen pas njoftimit të Greqisë për krijimin e parqeve detare në ujërat që Turqia i konsideron si pjesë të vetën. Të hënën, Turqia i paraqiti UNESCO-s të ashtuquajturin plan hapësinor detar – një dokument zyrtar që përcakton zonat detare ku mund të zhvillohen aktivitete si peshkimi, turizmi dhe projektet për energji të rinovueshme. Plani gjithashtu mbështet krijimin e zonave të mbrojtjes detare.
Edhe pse dokumenti nuk përcakton një zonë ekonomike ekskluzive, harta e hartuar nga Universiteti i Ankarasë pasqyron disa nga pretendimet e hershme të Turqisë, që bien ndesh me pretendimet e Greqisë fqinje.
Zyrtarët grekë janë shprehur se harta ndan në mënyrë efektive Detin Egje dhe përfshin zona detare të disa ishujve grekë nën juridiksionin e propozuar detar të Turqisë.
“Harta e Ankarasë nuk bazohet në asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk ka efekt ligjor,” deklaroi të martën për Radion Greke Zëvendësministri i Jashtëm, Tasos Chatzivasileiou. “Ajo pasqyron qëndrimet e kahershme turke, por nuk ka vlerë ligjore. Greqia do të veprojë në të gjitha nivelet për t’u përgjigjur.”
Kjo lëvizje e Turqisë vjen vetëm një javë pasi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, njoftoi se do të nisin procedurat ligjore për krijimin e dy parqeve të para detare të Greqisë – një në Detin Jon dhe një tjetër në rajonin e Cikladeve Jugore në Egje.

Duke folur në Samitin e Oqeaneve të Kombeve të Bashkuara në Nisë, Mitsotakis tha se këto parqe janë një hap i parë drejt ruajtjes ekologjike të zonave detare. Megjithatë, vitin e kaluar, Greqia u përball me reagime të ashpra nga Turqia pas njoftimit fillestar për këto plane, pasi Ankaraja konteston sovranitetin mbi disa nga këto ujëra.
