Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria rritjen e kapaciteteve dhe koordinimin mes institucioneve për të menaxhuar migracionin dhe azilin në vend. Shqipëria kohët e fundit po përballet me fluksin në rritje të emigrantëve ilegalë.
Referuar statistikave përgjatë 2018 deri në 2023 janë regjistruar afro 44 mijë hyrje të parregullta, emigrantë kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe nga Afrika e Veriut. Nisur nga këto problematika, në Tiranë u prezantua projekti “EU 4 Migration”, i cili synon rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e sigurisë kufitare.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë prezantimit të projektit “EU 4 Migration” tha se forcimi i kapaciteteve është i nevojshëm, pasi emigracioni është sfidë e përbashkët me vendet evropiane. “Projekti ynë i ri, ‘BE për migracionin’, do ta mbështesë Shqipërinë në forcimin e sistemeve dhe kapaciteteve të saj në këtë fushë, në përputhje me strategjitë e menaxhimit të migracionit, si të Shqipërisë ashtu edhe të BE-së. Reformat në këtë fushë do të ndihmojnë gjithashtu për çuarjen përpara të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe, në fund të fundit, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, – deklaroi ambasadori Gonzato.
Me një buxhet prej 10 milionë eurosh të siguruar nga BE-ja, kjo nismë katërvjeçare synon të mbështesë Shqipërinë në forcimin e sistemeve të saj të menaxhimit të migracionit dhe azilit, në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Projekti “EU 4 Migration” do të mbështesë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe përafrimin me acquis të BE-së, duke kontribuar drejtpërdrejt në reformat për Kapitullin 24 –Drejtësi, Liri dhe Siguri. Shqipëria, ndërkohë, ka hartuar dhe strategjinë kombëtare për migracionin 2024–2030 që synon menaxhim më të lartë të kufijve, sistemeve të azilit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme të migracionit.
Kreu i delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, theksoi se ky projekt është një nga pikat kyçe në procesin e integrimit në BE. “Ky projekt do të ndihmojë gjithashtu në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për të shënuar përparim në procesin e anëtarësimit. Është e rëndësishme që aktivitetet e këtij projekti të marrin përparësi. Mbështesim objektivat specifike që burojnë nga negociatat e anëtarësimit, në mënyrë që të arrihet progres urgjent”, – tha Gonzato.
Nga ana tjetër, zv.ministri i Brendshëm u ndal në pikat ku do fokusohet ky projekt. “Fokusi do të jetë të ngritja e kapaciteteve operacionale për flukset emigratore, zhvillimin e mekanizmave të koordinuar për parandalimin në raste të rritje të flukseve. Ky projekt do të kontribuojë edhe në rritjen e kapaciteteve që lidhet me luftën kundër kontrabandimit të emigrantëve”, – tha Besfort Lamallar, zv. ministri i Brendshëm. Ndërkohë për parandalimin e kalimit ilegal të kufirit, Shqipëria vijon bashkëpunimin me FRONTEX, por me situatat për shkak të luftërave në Lindjen e Mesme, kjo mund të ndikojë në rritjen e fluksit te emigrantëve drejt Shqipërisë, që kryesisht e përdorin si korridor për të kaluar drejt Europës./Gazeta Panorama