Një kontratë që synon të ofrojë gatim dhe shpërndarje ushqimi për dy spitale në vend siç është ai i Traumës dhe materniteti “Mbretëresha Geraldinë” parashikon një fond limit prej 4.1 milionë eurosh për këtë shërbim.
Procedura e Prokurimit e publikuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara është e ndarë në dy lote. Loti 1: “Gatimi dhe shpërndarje ushqimi (Catering) në S.U.O.GJ “Mbretëresha Geraldinë”, me fond limit 185.2 milionë lekë pa tvsh ose 1,8 milonë Euro pa TVSH.
Loti 2: “Shërbimi i gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Spitalin Universitar të Traumës”, me fond limit 217.3 milionë lekë pa TVSH ose 2.2 milionë Euro pa TVSH. Sipas dokumenteve shoqëruese kohëzgjatja e kontratës/marrëveshjes kuadër ose afati për zbatimin e saj: është 48 muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes kuadër për lotin e parë dhe 36 muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes kuadër për lotin e dytë.
Lidhur me këto lote nga ana e institucioneve janë vendosur kushte specifike. Ku për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit të Spitalit Universitar të Traumës nënvizohet që kapaciteti i kuzhinës duhet të jetë i tillë që të prodhojë rreth 300 racione në vakt. Po kështu operatori ekonomik që përgatit ushqimin në mënyrë të përqendruar në kuzhinë çdo ditë në bazë të numrit të të shtruarve bazuar sipas përcaktimeve të dietave të kartelës së pacientit, vënë nga mjeku kurues përkatës dhe të konfirmuar nga mjeku dietolog, si dhe të personelit mjekësor që është në shërbim 24 orë.
“Në të gjitha rastet dhe për të gjitha vaktet, llogaritja e racioneve sipas dietave bëhet nga përgjegjësi i Sektorit të Kostos), çdo ditë. Sektori i kostos nxjerr nga sistemi SIIS numrin e forcës ditore sipas dietave duke i shtuar dhe numrin e personelit mjekësor të shërbimit 24 orë dhe ja dorëzon përgjegjësit të kuzhinës të Operatorit të kontraktuar brenda orës 13 për ditën e nesërme. Transporti i ushqimit të gatuar në kuzhinën kryesore deri në Spital bëhet me automjet transporti frigoriferik për të garantuar sigurinë dhe vlerat e ushqimit dhe të jetë i pajisur me certifikatë higjeno – sanitare” nënvizohet në disa prej këtyre specifikimeve.
Ndërkohë për shërbimin e ofrimit të Gatimit dhe Shpërndarjes së Ushqimit (Catering)” në S.U.O.GJ “Mbretëresha Geraldinë” specifikohen të njëjtët element lidhur me fashën 24 orarëshe të shërbimit.
“Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbreteresha Geraldinë” ofron shërbime të vazhdueshme për pacientët, duke përfshirë repartet e urgjencës, lindjes, repartet e kirurgjisë dhe ata që janë në kujdes intensiv, si dhe shërbime te tjera ku nevojat ushqimore janë specifike dhe kërkojnë përkujdesje të veçantë. Ushqimi duhet të jetë i gatshëm në çdo moment të ditës dhe natës për të siguruar ushqim të përshtatshëm për pacientët në kushte emergjente apo në kushte të tjera specifike të nevojave mjekësore” thuhet në dokument. Po kështu i njëjti specifikon një sërë dietash që duhet të përshtaten sipas nevojës të tipit diabetike, normale./monitor