Janë ekstraduar nga Dubai tre persona të shumëkërkuar dhe të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale. Bëhet fjalë për ata që njihen ndryshe si “ushtarët” e Talo Çelës.

Tre shtetasit e ekstraduar, Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika ishin në kërkim për akuza të rënda nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ata u lokalizuan, u arrestuan dhe tashmë janë dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri.

Operacioni, pjesë e aksionit të koduar “The Wanted”, u realizua në koordinim të ngushtë mes strukturave të specializuara të Policisë shqiptare dhe Policisë së Dubait, duke treguar edhe një herë efikasitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.

Ata akuzohen nga SPAK dhe GJKKO për vepra të rënda penale si vrasje dhe sigurim i mjeteve për të kryer vrasje. Tre të ekstraduarit njihen si bashkëpunëtorët e ngushtë të të shumëkërkuarit tjetër Talo Çela.

Ervis Daka akuzohet se ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij.

Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S. Po ashtu ka strehuar dhe ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar Talo Çela.

Maksim Koçi ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A. Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S dhe ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar Talo Çela për t’u fshehur.

Ndërsa Ado Xhika akuzohet se për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin Talo Çela duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë. Po ashtu ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit Talo Cela.

Njoftimi:

Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.

Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 3 shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar.

3 shtetasit e ekstraduar u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.

Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Ëanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko