Është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare Ndue Cara, ish-kryebashkiak i Pukës dhe një ndër figurat më të respektuara të komunitetit. Cara u shua pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Ndryshe nga shumë të tjerë, Ndue Cara zgjodhi të qëndrojë në Pukë edhe pas përfundimit të mandatit si kryetar bashkie, duke i qëndruar besnik qytetit dhe banorëve të tij. Ai ishte ndër të paktët drejtues vendorë që vijoi të jetonte dhe të shërbente në zonën që kishte drejtuar.

Me profesion mjek, Ndue Cara nuk e ndërpreu asnjëherë shërbimin ndaj njerëzve. Ai ka pasur një karrierë të gjatë në drejtimin e disa institucioneve shëndetësore dhe ka vijuar të ofrojë ndihmën e tij mjekësore edhe pas daljes në pension.

Prej më shumë se një dekade, ai kishte zgjedhur të shërbente në një nga zonat më të thella të Pukës, në Fierzë, ku jetonte në kushte të vështira, në një kontejner, vetëm për të qenë pranë banorëve që kishin më shumë nevojë për kujdes mjekësor.

Ndue Cara do të mbahet mend jo vetëm si drejtues i përkushtuar, por mbi të gjitha si një mjek human dhe njeri me zemër të madhe, i cili deri në ditët e fundit të jetës i qëndroi besnik profesionit dhe shërbimit ndaj njerëzve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko