Sa i takon ndarjes së shpenzimeve sipas kategorive, në vitin 2024, peshën më të madhe e zë funksioni “Shërbime të përgjithshme publike” në rreth 21% me një rritje prej 1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, funksioni i dytë më i rëndësishëm është “Çështjet ekonomike” me rreth 19.8% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor, ky funksion krahasuar me një vit më parë ka një rënie prej 1%.
Konstatohet që në tre funksione si “Shërbimet e përgjithshme publike”, “Çështjet ekonomike” dhe “Arsimi”, pushteti vendor gjatë vitit 2024 ka shpenzuar rreth 60% të totalit të shpenzimeve vendore. Kjo evidenton qartë fokusin në ato funksione të cilat ofrojnë shërbime që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve.
Shpenzimet në nivel funksioni në vitin 2024, me përjashtim të funksionit të shëndetësisë i cili zë një peshë të papërfillshme në buxhetin vendor, kanë patur rritje krahasuar me një vit më parë. Mbështetja e fortë e politikave sociale që jep pushteti vendor është reflektuar në rritjen prej 23% të shpenzimeve të këtij funksioni në vitin 2024.
Ndërkohë një rritje tjetër e rëndësishme lidhet me dy funksione që kanë peshë të madhe në buxhetin vendor që lidhen me shërbimet e përgjithshme publike dhe arsimin, ku të dy këto funksione janë rritur përkatësisht 11% dhe 12% në krahasim me një vit më parë. Rritja e mbështetjes për ato funksione ku janë të përqëndruara shërbimet kryesore publike tregon nevojën që pushteti vendor ka për më shumë burime të decentralizuara dhe autonomi financiare./SCAN