Në një masë më të vogël në numërimin e parë kanë përfituar edhe partitë e tjera
Është mbyllur rinumërimi i kutive për këtë të shtunë në ambientet e pallatit të sportit “Farije Hoti”.
Rinumërimi i 437 kutive të votimit deri më tani ka treguar se dy partitë e mëdha janë favorizuar nga numëruesit e tyre në 11 maj. Deri tani rezulton se Partisë Demokratike i janë shtuar padrejtësisht 219 vota, ndërsa PS-së 193 vota.
Në një masë më të vogël në numërimin e parë kanë përfituar edhe “Lëvizja Bashkë” e cila ka marrë 10 vota më tepër, koalicioni “Nisma- Shqipëria Bëhet” 26 vota, PSD 23 vota dhe Partia Mundësia 8 vota. Ndërkohë nga numëruesit janë penalizuar partia e Lulzim Bashës që i mungojnë 13 vota dhe koalicioni “Djathtas për Zhvillim” i Dashamir Shehit që i mungojnë 7 vota.
Procesi i rinumërimit do të hapet sërish ditën e hënë, teksa e diela është vendosur pushim.