Në vitet e fundit, është bërë gjithnjë e më e qartë se Albin Kurti nuk është më udhëheqësi absolut i Lëvizjes Vetëvendosje. Disa shenja të forta, të dukshme për këdo që ndjek nga afër zhvillimet politike në Kosovë, tregojnë se vendimmarrja dhe drejtimi politik brenda VV-së nuk burojnë më drejtpërdrejt nga Kurti. Ky është një zhgënjim i madh për shumë qytetarë që e kishin parë atë si simbol të ndryshimit, idealizmit dhe vizionit për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë dhe më të pavarur në vendimmarrje.

Nuk mund të mohohet se Albin Kurti, për një kohë të gjatë, ishte figura që personifikonte Vetëvendosjen. Ai ishte ideatori kryesor i strategjive politike, zëdhënësi më i fuqishëm i një klase të re politike dhe bartësi i një narrative që sfidonte sistemin e vjetër të korruptuar. Megjithatë, tani duket se kjo figurë nuk ka më të njëjtin ndikim në drejtimin e partisë. Ose ai është lodhur nga betejat e njëpasnjëshme të brendshme e të jashtme polike, ose e ka humbur atë energji e pasion që dikur e karakterizonte. Alternativa më e zymtë është se ai nuk po e drejton më Vetëvendosjen – të paktën jo si më parë.

Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për Vetëvendosjen si subjekt politik, por për gjithë ata që besuan në një model të ri qeverisës. Në vend të një force të disiplinuar, të qartë në vizion dhe të guximshme në veprime, duket se VV po i nënshtrohet të njëjtave dinamika të brendshme si partitë tradicionale – interesa të ngushta, mungesë koherence dhe rivalitete të fshehta.

Opozita, në anën tjetër, nuk ka arritur të kapitalizojë këtë dobësi të VV-së. Përkundrazi, ajo ka treguar një sjellje destruktive, shpeshherë të papërgjegjshme dhe jashtë realitetit politik. Në vend që të luajë rolin e saj si korrektor institucional, opozita në Kosovë është shndërruar në një grup kaotik, të përçarë dhe të paqartë në qëllimet e saj. Mungesa e një alternative serioze ka bërë që kritikat ndaj VV-së të mos gjejnë vend të duhur në opinionin publik, pasi shumë qytetarë nuk shohin më asnjë subjekt tjetër si të besueshëm.

Zhvillimet e fundit brenda Vetëvendosjes tregojnë një prirje të qartë drejt përjashtimit të ideve të reja dhe margjinalizimit të mendimeve ndryshe. Edhe personalisht kam përjetuar një situatë ku mendimi i Albin Kurtit nuk u mor fare seriozisht nga strukturat e qeverisë. Kjo është shumë domethënëse, sepse nëse edhe ai nuk merret më seriozisht, atëherë kush po e drejton realisht këtë subjekt politik? A kemi të bëjmë me një lloj udhëheqjeje kolektive, apo janë formuar grupe të interesit që veprojnë sipas agjendave të veta?

Një tjetër tregues i krizës së thellë në VV është dështimi i vazhdueshëm për konstituimin e Kuvendit. Rasti konkret i përmendur nga Fatmir Limaj i Nismës është tejet ilustrues. Sipas tij, ndonëse ekzistonte një marrëveshje gojore paraprake ndërmjet tij dhe Albin Kurtit, Vetëvendosje doli të nesërmen me një propozim të ri, duke e injoruar plotësisht atë që ishte dakorduar. Si rezultat, edhe pas mbi 30 tentimeve, Kuvendi nuk u konstituua.

Ky është një shembull i qartë i mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë politike. Edhe pse çdo parti politike ka të drejtë të synojë pozicionimin më të mirë të mundshëm, barra më e madhe e përgjegjësisë bie mbi fituesin e zgjedhjeve. VV si partia fituese duhet të tregonte më shumë pjekuri politike dhe fleksibilitet për të siguruar funksionalitetin institucional të vendit. Por në vend të kësaj, ajo u mbyll në vete dhe nisi të veprojë në mënyrë të njëanshme, shpeshherë pa konsultime të mjaftueshme me aktorë të tjerë.

Në thelb, ky dështim është simptomë e një krize më të thellë të kulturës politike në Kosovë – një krizë e liderizmit, e dialogut dhe e përgjegjësisë. Lëvizja Vetëvendosje, që dikur ishte simbol i shpresës për ndryshim, tani rrezikon të bëhet pjesë e problemit që dikur pretendonte ta zgjidhte.

Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një klasë politike që mendon përtej interesave afatshkurtra, përtej inateve personale dhe përtej lojërave taktike. Ka nevojë për një udhëheqje që e kupton rëndësinë e institucioneve dhe dialogut të sinqertë. Nëse Vetëvendosje do ta rifitojë këtë rol, duhet të bëjë një rishikim të thellë të brendshëm, të kthehet te parimet dhe të krijojë hapësirë për ide të reja dhe mendim të lirë.

Pa këtë reflektim të thellë, VV do të vazhdojë të zbehet – jo për shkak të opozitës, por për shkak të vetvetes. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko