SHQIPËRI- “Ditën që më është vënë grada mbi supe jam betuar që do jem zëri i të gjitha grave në uniformë.” Ky motiv e ka ndjekur gjatë gjithë karrierës së saj ushtarake, gjeneral brigade Vehbije Kuti. Tashmë ajo është gruaja e parë në historinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë e emëruar në detyrën e Zëvendëskomandant të Forcës Tokësore.

Ndjesitë për drejtimi e komandës më të madhe operacionale i ka të ndara mes peshës se rëndë mbi supe dhe emocionit.

” E vlerësuar, e besuar, por dhe një përgjegjësi shumë e madhe në të njëjtën kohë. Përgjegjësi për vetë kompleksitetin që ka kjo strukturë operacionale, komanduese. Një strukturë shumë e rëndësishme në zinxhirin e komandimit të FA, por edhe një përgjegjësi tjetër ajo e përcjelljes së shembullit personal, duke qenë si grua për brezat që vinë. Përgjegjësia e imja dhe hapi që do hedh që do ndiqet nga të tjerët që do vinë pas.”

Objektivat mbeten të pandryshuar për zëvendëskomandanten, që ditën që veshi uniformën.

“Atdheu, nderi detyra më kanë shoqëruar në çdo detyrë që kam shërbyer. Objektivat e mi lidhen me objektivat e strukturës dhe misionit që ndikojnë dhe ndihmojnë në realizimin e misionit”

Gjeneral Brigade, Vehbije Kurti nuk mori thjeshtë një detyrë, emërimi i saj shënon një hap përpara një epoke të re të Forcave të Armatosura, duke u bërë gjithashtu edhe shembull frymëzimi. Këshilla e gjenerales për çdo grua në uniformë që ka ambicie për rritjen në karrierë është kjo.

“Të jenë të përkushtuara, me integritet, dinjitet që të jenë shembull i mirë frymëzimi për brezat që vijnë”

Ëndrra e çdo ushtaraku është që një ditë të bëhet gjeneral. Këtë emocion e përjetoi pak kohë më parë, kur mori gradën madhore. Gjeneral Brigade Vehbije Kuti është aktualisht e vetmja grua që mban një yll mbi supe.

“Një vlerësim që më ka peshuar mbi supet e mia dhe më ka bërë krenare”

Gjenerale Kuti e nisi rrugëtimin në Forcat e Armatosura 36 vite më parë.

“Në ‘89, fillova studimet në shkollën e bashkuar. Në 93 jam titulluar oficere me gradën nëntoger dhe e bukura ka qenë se jam emëruar në akademinë ushtarake në institucionin ku unë u arsimova dhe edukova”, tha ajo.

Ndryshe nga shumica e ushtarakëve, nuk kishte asnjë paraardhës në Forcat e Armatosura.

“Ajo që e përforcoi më shumë këtë ishte im atë duke ditur dëshirën që unë kisha me FA dhe më prezanton me dy miqtë e tij ushtarakë. Takimi me atë korrektësinë që ata shpalosën tek unë, e përforcuan më shumë bindjen që unë pata për tu bërë pjesë e këtij profesioni”, tha ajo.

Mes misionit që bëri betimin për t’ju përkushtuar atdheut dhe nënës së dy fëmijëve thotë se nuk ka qenë e lehtë.

Shumë e vështirë. Me suportin e familjes dhe bashkëshortit, veçanërisht të bashkëshortit kam arritur t’ja dal, duke qenë se edhe bashkëshorti im vjen nga e njëjta fushë. Por sigurisht pesha e gruas, kur t’i merr detyrën një pjesë e mendjes qëndron tek familja, ç’bën fëmija, ç’bëjnë të tjerët”, shtoi gjeneralja.

Profesionin që zgjodhi i ka shënjuar jetën.

” Nëse ka një kostum që mua më ka rënë më mirë në trup është kjo uniform. Nuk do ta ndërroja me asgjë”

Një mesazh, gjeneralja ka për të rinjtë shqiptarë.

“Atdheu, forcat tona të armatosura kenë nevojë për vizionin dhe guximin e tyre.” /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko