Çmimet e frutave dhe perimeve në Tiranë kanë shënuar një tjetër rritje shqetësuese, ndonëse jemi në kulmin e sezonit kur prodhimi duhet të jetë më i larti. Ish-zv.kryeministri dhe deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar me tone të ashpra ndaj situatës, duke folur për abuzim të pastër me çmimet, ndërmjetës të shumtë dhe mungesë të mbështetjes për prodhimin vendas.

Sipas tij, domatet shiten 110-130 lekë për kilogram, kastraveci 100-110 lekë, bizelet deri në 300 lekë, mashurkat deri në 270 lekë, specat 150 lekë për kilogram, ndërsa çmimi i qershive arrin deri në 1000 lekë për kilogram. Braçe thekson se të gjitha këto janë produkte të stinës dhe duhet të kishin çmime normale, jo kaq të larta.

Ai sjell si shembull shalqirin, që në Divjakë shitet me 23 lekë për kilogram, ndërsa në Tiranë arrin në 60 lekë – sipas tij, një abuzim skandaloz që tregon se problemi qëndron në mënyrën si organizohet tregu.

Për të frenuar këtë situatë, Braçe propozon disa masa konkrete:

Shfuqizimin e tregut në autostradë, ku sipas tij, abuzohet me tarifat dhe rritet artificialisht kostoja e produkteve.

Hapjen e tregjeve publike për vetë bujqit, duke shmangur ndërmjetësit që rrisin çmimin final për konsumatorin.

Barazimin e TVSH-së së brendshme, pasi sipas tij, skema aktuale e rrit çmimin me deri në 20%.

Zbatimin e sistemit të fiskalizimit nga bujku te blerësi i fundit, si për çdo produkt tjetër.

Kontroll më të rreptë mbi qiratë e ambienteve tregtare në qytet, të cilat, sipas Braçes, janë jashtë çdo norme dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.

Braçe shpreh shqetësimin edhe për strukturën e prodhimit, që sipas tij, është përqendruar te serat, të papërshtatshme për temperaturat e larta të verës apo të ulëta të dimrit. Kjo ndikon negativisht në sasinë dhe cilësinë e prodhimit. Ai bën thirrje për rikthimin e prodhimit në fusha, veçanërisht në zona me kushte klimaterike të favorshme.

Në fund, Braçe nuk lë pa përmendur as ndikimin e ndryshimeve klimatike, që po kthehen në faktor të rrezikshëm për bujqësinë, me mot të paqëndrueshëm dhe ngjarje ekstreme që shkatërrojnë të mbjellat, siç ndodhi këtë vit me qershinë. Ai kritikon qasjen neglizhente ndaj këtij problemi dhe thekson se mosveprimi po e bën tregun e frutave dhe perimeve të padrejtë dhe të papërballueshëm për qytetarët.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko