Sipas disa gjetjeve fillestare, të cilat janë paraqitur në revistën New York Times, Papa Leo jo vetëm që kishte paraardhës afrikano-amerikanë, por rezulton se ai është i lidhur në distancë me ikonat e popit Madonna, Justin Bieber dhe madje edhe Angelina Jolie. Pema e tij gjenealogjike është e lidhur edhe me disa nga politikanët më të famshëm në botë, përfshirë Justin Trudeau dhe Hillary Clinton.
Pesë gjetje kryesore në pemën gjenealogjike të Papa Leo XIV
Duke u kthyer në të kaluarën 500 vjet më parë, është identifikuar lidhja e Papës me disa figura jashtëzakonisht interesante.
Kujtohet se më 8 maj, kardinali amerikan Robert Francis Prevost u bë Papa Leo XIV. Në të njëjtën ditë, gazeta The Times, bazuar në hulumtimin e gjenealogut Jerry S. Honora, raportoi se Prevost kishte paraardhës afrikano-amerikanë të kohëve të fundit. Ky zbulim erdhi nga shqyrtimi i vetëm tre brezave më parë.
Duke parë edhe më thellë në të kaluarën, fansat e emisionit PBS “Finding Your Roots”, të drejtuar nga Henry Louis Gates Jr. për 13 vjet, donin të dinin më shumë. Në përgjigje të kërkesave të tyre, Gates u bashkua me gjenealogë nga American Ancestors dhe Cuban Genealogy Club of Miami, dhe ata ishin në gjendje të gjurmonin stërgjyshërit e tij të gjeneratës së 12-të, të cilët kishin lindur në fillim të shekullit të 16-të.
Siç detajohet në revistën New York Times, prejardhja e Papa Leos është çuditërisht “ndërkombëtare”.
Rrënjët e tij shumëkulturore në fakt pasqyrojnë historinë e imigracionit të Amerikës. Deri më tani, janë identifikuar paraardhës që kanë lindur në Francë (40), Itali (24), Spanjë (21), Shtetet e Bashkuara (22), Kubë (10), Kanada (6), Haiti (1) dhe Guadeloupe (1). Vendlindjet e nëntë paraardhësve të tjerë mbeten të panjohura.
Shumë nga paraardhësit e tij amerikanë ishin me ngjyrë
Shtatëmbëdhjetë nga paraardhësit amerikanë të Papa Leos ishin me ngjyrë, të përshkruar në dokumentet historike me terma të tillë si “Negro”, “Person i Lirë me Ngjyrë”, “Kreol me Racë të Përzier” dhe “Quadrun”. Një tjetër paraardhës me ngjyrë – gjyshi i Leos – Joseph Nerval Martinez, lindi në Haiti nga prindër afrikano-amerikanë që kishin emigruar nga New Orleans dhe ishin kthyer atje në vitin 1866.
Tetë nga 12 paraardhësit e tij me ngjyrë zotëronin midis një dhe 20 persona si skllevër. Marie Jeanne, stërgjyshja e nënës e gjeneratës së katërt të Papës, ishte skllave e François Lemel, me të cilin pati të paktën gjashtë fëmijë. Në vitin 1772, François liroi Marie Jeanne dhe dy nga vajzat e tyre, dhe pas vdekjes së tij në vitin 1789, ai i la asaj një të pestën e pasurisë së tij, e cila përfshinte 15 skllevër. Deri në vitin 1817, pasuria e saj ishte rritur në 1,040 akra dhe përfshinte pesë skllevër.
Dy luftëtarë të lirisë në pemën gjenealogjike të Papës
Stërgjyshi i tij i gjeneratës së katërt nga nëna, Charles Louis Boucher de Grandpre, udhëhoqi milicinë e Luizianës në Point Coupeau në vitin 1777, duke kapur postat britanike në Thompson’s Creek dhe lumin Amite gjatë Revolucionit Amerikan. Një tjetër paraardhës nga nëna, Antonio José de Sucre, një kushëri i gjeneratës së pestë, ishte një hero i Betejës së Ayacucho dhe luajti një rol kyç në çlirimin e Amerikës Latine nga kolonializmi spanjoll. Një mik i Simón Bolívar, ai u bë presidenti i parë i zgjedhur kushtetues i Bolivisë.
Të afërmit e famshëm të Papa Leos
Nëpërmjet një paraardhësi të largët nga nëna të lindur në vitet 1590, Papa Leo është një kushëri i largët i disa figurave të njohura: Pierre dhe Justin Trudeau, Hillary Clinton, Angelina Jolie, Justin Bieber, Jack Kerouac dhe Madonna.
Kur Madonna mësoi për marrëdhënien e saj me Papa Leo XIV, postoi një foto bardh e zi të saj dhe të babait të saj, Silvio Ciccone, në Instagram, duke reaguar ndaj lajmit.