Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), në një vendim të ndërmjetëm të marrë sot në orën 12:55, ka kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit për të larguar deputetin e PD, Asllan Dogjani nga ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po zhvillohet procesi i numërimit të votave.

Sipas KAS-it, Dogjani ka shkelur në mënyrë të përsëritur rregullat e vëzhgimit, duke intimiduar numëruesit, si dhe duke kërcënuar dhe ofenduar anëtarët e komisionit, sipas dokumentit. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të respektuar rregullat dhe për të ruajtur qetësinë, sjellja e tij është konsideruar e papranueshme.

Për këtë arsye, KAS vendosi që Dogjani të ndalohet nga qëndrimi në ambientet e procesit të numërimit dhe i kërkoi Policisë të marrë masa për ta larguar dhe për të mos lejuar më rikthimin e tij.

Më herët një përplasje e fortë ka ndodhur mes kandidatit të PD Asllan Dogjani dhe anëtarit të KAS Ilir Rrusmajli gjatë procesit të rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës. Dogjani pretendoi se një fletë votimit ishte shpallur gabimisht e pavlefshme, votë që ishte për të.
KAS pretendoi se vota nuk ishte vendosur brenda kutisë së votimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko