Turqia është tronditur nga një ngjarje e rëndë që përfshin kompaninë e njohur Çalık Holding, në pronësi të biznesmenit Ahmet Çalık, i cili zotëron gjithashtu Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) në Shqipëri.
Ngjarja ka ndodhur muajin e kaluar në Stamboll, kur Erol Egrek, 49 vjeç, një ish-punonjës i një prej minierave të Çalık Group, u paraqit para zyrave të kompanisë për të kërkuar pagesat që i takonin. Sipas raportimeve, ai kishte fituar një proces gjyqësor për të marrë pagat e prapambetura, por kompania kishte refuzuar të zbatojë vendimin.
Protesta e tij u përshkallëzua kur Egrek hodhi një vazo me lule drejt ndërtesës dhe më pas i drejtoi armën vetes në shenjë kërcënimi për vetëvrasje. Në atë moment, rojet e sigurisë ndërhynë me dhunë, duke e rrahur brutalisht. Egrek u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe, fatkeqësisht, ndërroi jetë.
Fillimisht, Çalık Holding mohoi çdo përgjegjësi për rrahjen fatale, por më pas vajza e viktimës publikoi pamje filmike ku dukeshin truprojat duke goditur babain e saj.
- “U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ndërgjegje: mos lejoni që kjo të harrohet,” – shkroi ajo në rrjetet sociale, duke shpërndarë videon tronditëse që ndezi reagime të forta publike.
Ngjarja ka shkaktuar protesta të shumta nga kolegët e Egrek, të cilët janë mbledhur masivisht para zyrave të Çalık Holding. Ata kanë akuzuar drejtpërdrejt Ahmet Çalık si përgjegjësin kryesor për ngjarjen tragjike.
- “Ej, Ahmet Çalık, edhe sa të tjerë nga ne duhet të vdesin që të na japësh të drejtat tona?!” – thërrisnin në kor punonjësit.
Grupi Çalık, që zotëron biznese të shumta në rajon, përfshirë edhe bankën më të madhe në Shqipëri, BKT, ndodhet aktualisht nën presion të lartë publik dhe ligjor, ndërsa hetimet mbi vdekjen e Egrek po vazhdojnë.
