Në një lidhje të drejtpërdrejtë për FaxNews, avokati Altin Nonaj, i cili jeton dhe punon në SHBA, komentoi zhvillimet dramatike në Lindjen e Mesme, duke e konsideruar sulmin ndaj Iranit si një akt që nuk mund të ndodhte pa përfshirjen dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Më duket shumë e vështirë që Izraeli të fillonte një ofensivë të tillë ndaj një vendi me 72 milionë banorë, pa pasur një plan B dhe pa mbështetjen e SHBA”, u shpreh Nonaj.

Sipas tij, Irani është një nga shtetet më të mëdha në Lindjen e Mesme, dhe përballja me të kërkon koordinim strategjik, jo vetëm ushtarak por edhe diplomatik.

Avokati kujtoi se administrata Trump i kishte lënë një afat 60-ditor Izraelit për të vepruar, dhe sulmi ndodhi pikërisht në ditën e 61-të. Kjo përkon me teorinë e një bashkërendimi të ngushtë mes aleatëve.

“Ne e dimë që izraelitët janë shumë të përfshirë në administratën e Trump. Ky nuk është një rastësi”, tha Nonaj.

Ai theksoi se pavarësisht premtimeve elektorale për të mos futur Amerikën në luftë, presidenti amerikan po lejon një përfshirje indirekte në një përplasje të rrezikshme me Iranin.

Sipas Nonajt, programi republikan “America First” dhe deklaratat e Trump për t’i dhënë fund luftërave në Gaza dhe Ukrainë nuk përputhen me realitetin aktual.

“Neo-konservatorët nuk janë në favor të një lufte me Iranin, dhe presidenti pretendon se nuk do të dërgojë trupa. Por kjo ndërhyrje është një surprizë që e tejkalon retorikën politike”, deklaroi ai.

Nonaj shtoi se sulmi ndaj mbrojtjes raketore iraniane, i shkatërruar nga Izraeli, krijoi një terren të favorshëm për një ofensivë amerikane të drejtpërdrejtë apo të ndërmjetme.

Për sa i përket qëndrimit ndërkombëtar, Nonaj theksoi se Rusia dhe Kina nuk kanë reaguar fort, duke lënë hapësirë për një veprim të njëanshëm nga Perëndimi.

“Nëse nuk hyjnë për ta pushtuar plotësisht Iranin, mund të themi se kjo ishte një lëvizje presioni, jo fillimi i një lufte të hapur”, vlerësoi ai.

Në përfundim, avokati theksoi se në kushte lufte, çdo shtet përdor të gjitha asetet që ka në dispozicion, qoftë ushtarake, qoftë diplomatike por fati i konfliktit do të varet nga reagimi i Iranit dhe aleatëve të tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko