Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se armëpushimi me Iranin ka hyrë në fuqi dhe se ata do të “përgjigjen fuqishëm” ndaj çdo shkeljeje të marrëveshjes së paqes.
Në këtë klimë, të afërmit e pengjeve izraelite që ndodhen ende në Rripin e Gazës i kanë bërë thirrje qeverisë izraelite që të ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake në territorin palestinez dhe të fillojë negociata serioze që synojnë kthimin e robërve.
Një deklaratë e publikuar nga Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve në rrjetin social X thotë se përparimi drejt një armëpushimi është urgjentisht i nevojshëm.
“Marrëveshja e armëpushimit duhet të shtrihet në Gaza. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të angazhohet urgjentisht në bisedime që do të çojnë në kthimin e të gjithë pengjeve dhe në përfundimin e luftës. Nëse u arrit një armëpushim me Iranin, mund t’i jepet fund dhe luftës në Gaza“, thuhet në deklaratë.
Familjet e pengjeve paralajmëruan se vazhdimi i operacioneve izraelite në Gaza, pas veprimit të fundit ushtarak kundër Iranit, do të ishte një veprim i gabuar.
“Është e paimagjinueshme që Izraeli, pas një operacioni të shkëlqyer në Iran dhe një goditjeje vendimtare dhe shkatërruese ndaj boshtit iranian, të kthehet e të fundoset në kënetën e Gazës. Kjo është në kundërshtim me çdo logjikë dhe të gjitha interesat izraelite”, tha Forumi.
Ata shtuan se humbja e mundësisë për të siguruar lirimin e pengjeve do të përfaqësonte një dështim serioz në diplomacinë izraelite.
“Përfundimi i operacionit në Iran pa e përdorur atë për të siguruar kthimin e të gjithë pengjeve do të ishte një dështim serioz diplomatik. Ekziston një mundësi historike dhe qeveria izraelite ka detyrë ta shfrytëzojë atë me të dyja duart”, thuhet në deklaratë.
Apeli vjen në një kohë kur presioni ndërkombëtar po rritet dhe situata humanitare në Gaza po përkeqësohet më tej. Qeveria izraelite ende nuk ka komentuar publikisht mbi kërkesat e familjeve. /tesheshi.com/