Policia Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, i akuzuar për disa vepra penale të lidhura me mashtrimin dhe vjedhjen.

Në kuadër të masave të shtuara të sigurisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Interpol Tiranën, shërbimet e Policisë Kufitare bënë të mundur ndalimin në hyrje të territorit shqiptar të shtetasit: B.S., 40 vjeç, banues në Bosnje-Hercegovinë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Heilbronn, Gjermani, kishte lëshuar ndaj tij një urdhër arresti me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vjedhje me anë të mashtrimit”, “Mashtrim” dhe “Mashtrim në mënyrë të përsëritur, fitimprurëse”, të parashikuara në Kodin Penal gjerman.

Aktualisht, Interpol Tirana është duke bashkëpunuar me Interpol Wiesbaden për të realizuar sa më shpejt ekstradimin e 40-vjeçarit drejt Gjermanisë, ku ai do të përballet me drejtësinë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko