Nga qyteti i Beratit, Policia e Shtetit, në cilësinë e presidentes së SEPCA-s për vitin 2025 drejtoi punimet e Asamblesë rajonale të drejtuesve të policive të Evropës Juglindore.
Në fjalën e tij në këtë Asamble, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u shpreh se, “bashkëpunimi policor rajonal nuk është më thjesht një nevojë, por tashmë është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”.
Proda u shpreh i bindur se do të ishte në interesin e luftës së përbashkët që edhe Policia e Kosovës të ishte anëtare e kësaj nisme rajonale.
Ai theksoi se, “SEPCA është dëshmuar në vite si një platformë strategjike bashkëpunimi mes policive të Evropës Juglindore, një urë që lidh përvojat tona, forcon koordinimin, mbështet ndërtimin e një sigurie të mëparshme”.
“Kjo Asamble është më shumë sesa një forum diskutimi, ajo është një mundësi për reflektim, për frymëzim dhe për angazhime konkrete, për të përballuar sfidat e reja të sigurisë me vendosmëri dhe vizion të përbashkët”, tha Proda.
Kreu i Policisë së Shtetit, nënvizoi se, kur krimi organizohet edhe rendi pa dyshim duhet të mirorganizohet.
Kjo, theksoi ai, “është arsyeja që Policia e Shtetit shqiptar është tërësisht e përkushtuar për të ndërtuar partneritete reale, për të forcuar shkëmbimin e shpejtë të informacionit, për të garantuar veprim të koordinuar më të gjithë partnerët tanë rajonal dhe ndërkombëtarë”.
“Fenomenet kriminale tashmë nuk njohin kufi. Krimi i organizuar, trafiku i narkotikëve, kontrabanda e emigrantëve, trafiku i qenieve njerëzore, terrorizmi, krimi financiar dhe ai kibernetik janë sfida tashmë globale dhe vetëm së bashku ne mund t’u bëjmë ballë atyre”, tha Proda, prandaj, shtoi ai, “besojmë se përgjigjja ndaj këtyre sfidave duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e koordinuar dhe e qëndrueshme”.
Kjo, theksoi Proda, “kërkon më shumë sesa masa të zakonshme, kërkon vizion, kërkon lidership dhe mbi të gjitha besim reciprok”.