Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 13 vatra zjarri, të gjitha të izoluar nga forcat operacionale, por disa prej tyre vijojnë të mbahen nën monitorim. Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 118 forca zjarrfikëse, 22 automjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera transporti dhe gërmuese.

Situata në qarqe:

  • Vlorë: Zjarri në Llaman, Himarë, u shua pas një pune intensive, ndërsa u kontrolluan edhe vatrat në Amonicë dhe lagjen “Ish-Fidanishtja” në Vlorë.

  • Lezhë: U shua zjarri në Ndërfan, Mirditë, që preku pyje me lis dhe shkurre; zona mbetet nën monitorim.

  • Kukës: Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Mamëz u shua plotësisht, por po mbahet nën vëzhgim.

  • Elbasan: Vatrat në Shijon (Bradashesh) dhe “Mali i Dukës” (Rrajcë) u shuan.

  • Tiranë: Një vatër zjarri në Vishnje, Vaqarr u izolua, shkaku i saj mbetet i panjohur.

  • Durrës: U shua zjarri në një bazë ushqimore për bagëtitë në Borizanë, Krujë, ku pati dëme materiale, dhe një vatër tjetër në Hamallaj, Sukth.

  • Fier: Zjarri në Sheqishtë, Patos u izolua nga forcat zjarrfikëse.

  • Gjirokastër: Vatra në Lunxhëri, mes fshatrave Valare dhe Dhoksat, u shua.

Nuk janë raportuar zjarre në qarqet e tjera.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarkun Fier, ndërsa në qarqet e tjera rreziku është “I MODERUAR”. Zona me rrezik “I LARTË” të lokalizuar përfshijnë jugun e Shkodrës, juglindjen e Kukësit, qendrën e Lezhës, verilindjen e Durrësit, jugun e Tiranës, jugperëndimin e Elbasanit, veriun e Gjirokastrës dhe veriun e Vlorës.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëjnë apel për kujdes maksimal nga qytetarët gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe kërkojnë njoftimin e menjëhershëm të çdo vatre zjarri të re për të parandaluar përhapjen e zjarreve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko