Kandidati i krahut të majtë të Partisë Demokratike, Zohran Mamdani, doli fitues i procesit të brendshëm si kandidat për kryetar bashkie në New York kundër favoritit, qendrës Andrew Cuomo, pas një fushate kundër kostos së lartë të jetesës dhe me premtimin për të taksuar të ardhurat më të larta.

“Jam i nderuar që jam kandidati juaj demokrat për kryetar bashkie të New York City,” tha Mamdani, duke iu drejtuar mbështetësve nga selia e tij e fushatës në Queens.

“Me vizionin e një qyteti që çdo njujorkez mund ta përballojë, ne fituam,” tha ai në fjalimin e tij, duke premtuar të hedhë poshtë politikat e presidentit Trump dhe “të qeverisë qytetin si një model për Partinë Demokratike”.

Fitorja surprizë e Mamdanit erdhi mes sulmeve të ashpra të Trump-it ndaj qyteteve amerikane, të cilat ai thotë se drejtohen nga “demokratë të ekstremit të majtë” me një “shpirt të sëmurë”, dhe në një kohë kur Partia Demokratike duket se nuk ka një udhëheqës të aftë për t’iu kundërvënë republikanit.

“Sonte nuk ishte nata jonë (…) Ai fitoi (red. Zohran Mamdani)”, pranoi ish-guvernatori 67-vjeçar i New York-ut, Andrew Cuomo, duke folur para mbështetësve para se të përfundonte numërimi i votave.

Me gati 95% të votave të numëruara, Mamdani kryeson me më shumë se 43% ndaj 36% të Cuomo-s.

Fitorja është një surprizë. Zohran Mamdani, 33 vjeç, i cili e përshkruan veten si “progresiv dhe mysliman“, fillimisht ishte 30 pikë përqindje pas Cuomo-s më centrist.

Ai e bazoi fushatën e tij në mediat sociale dhe entuziazmin e një ushtrie vullnetarësh të rinj që mbushën rrugët e New York-ut, duke shprehur angazhimet e tij për të trajtuar koston e lartë të jetesës, duke premtuar, ndër të tjera, heqjen e biletave të autobusëve, qendrave të kujdesit ditor dhe ngrirjen e qirasë në disa ndërtesa, si dhe ndërtimin e 200,000 shtëpive të reja gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Të gjitha këto përfitime sociale ai synon t’i financojë duke taksuar të ardhurat më të larta.

I lindur në Ugandë në një familje indiane, Mamdani do të ishte, nëse zgjidhej, kryetari i parë mysliman i bashkisë së New York-ut. Ai kishte mbështetjen e figurave nga krahu i majtë i Partisë Demokratike, si Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez.

Mamdani është kritikuar nga kundërshtarët e tij për qëndrimet e tij pro-palestineze dhe për akuzimin e Izraelit për “gjenocid”.

Por mesazhi kryesor i fushatës së tij, ulja e kostos së jetesës, duket se po gjen jehonë tek njujorkezët.

 “Qyteti është bërë shumë i shtrenjtë. Klasa punëtore dhe klasa e mesme nuk mund të jetojnë këtu“, shtoi ai. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko