Një punonjës i OSSH-së është arrestuar nga Policia e Vlorës pasi dyshohet se ka marrë para për të favorizuar një subjekt privat.
Bëhet me dije se ka përfunduar në pranga edhe një 42-vjeçar i cili ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ka shoqëruar shtetasin gjatë aktit korruptiv.
Në kuadër të këtij operacioni, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100 euro, 2 celularë dhe 1 automjet.

Njoftim i Policisë:
Në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “MATËSI”.\

Si rezultat i operacionit u arrestua për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasi:

M. S., 35 vjeç, me detyrë shef ekipi për lexuesit e matësave të energjisë elektrike, pranë OSSH Vlorë.

Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë 100 euro nga një subjekt privat, me qëllim favorizimin për pagesën e energjisë elektrike, nëpërmjet ndërhyrjes në aparatin matës.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi L. H., 42 vjeç, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi u konstatua së bashku me shtetasin M. S., duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në kuadër të këtij operacioni, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100 euro, 2 celularë dhe 1 automjet.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko