Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Fax News, eksperti i sigurisë Fatjon Softa reagoi pas aksidentimit të tre të miturve me monopatinë në Tiranë, ku një 11-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë.

Softa tha se, ndonëse mjetet ekologjike si monopatinët kanë anë pozitive, po abuzohet gjerësisht me përdorimin e tyre.

“Kam folur shpesh për këtë mjet që qarkullon në rrugët e kryeqytetit. Përdorimi pa rregulla, veçanërisht nga të miturit apo nga persona që transportojnë fëmijë me këto mjete, është i rrezikshëm dhe i ndaluar,” tha ai.

Sipas Softës, shtetet e tjera kanë vendosur kufizime të qarta, si limite shpejtësie 20–25 km/h, korsi të dedikuara për qarkullim dhe detyrime për masa mbrojtëse si helmetat, mbrojtëset për gjunjët dhe brrylat. Gjithashtu, vende si Gjermania dhe Norvegjia kërkojnë siguracion dhe regjistrim për këto mjete.

Ai vuri në dukje edhe problemet teknike të monopatinëve, si mungesa e ndriçimit dhe efikasiteti i dobët i frenimit.

“Rruga e Kavajës, për shembull, ka të njëjtën korsi për biçikleta, motorë dhe këmbësorë kjo e bën të pamundur ruajtjen e sigurisë,” shtoi ai.

Softa apeloi për ndërgjegjësim dhe veprim nga ana e Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse, përmes gjobave dhe monitorimit elektronik të shkelësve të rregullave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko