Shoqata Together for Life publikoi raportin e përvitshëm “Monitorimi i Shpenzimeve të Sektorit të Shëndetësisë për Vitin 2024”, një dokument i thelluar që analizon jo vetëm shifrat buxhetore të vitit të kaluar, por edhe mënyrën se si ato ndikojnë në ofrimin real të shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Edhe ky raport, si ata të mëparshmit ngre shqetësimin për nën-financimin të shëndetësisë, mungesën e transparencës në raportim dhe përputhjen jo të plotë ndërmjet angazhimeve dhe rezultateve konkrete.

Ndërsa buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2024 arriti në afro 80 miliardë lekë, një rritje prej 1.8 miliardë lekë nga plani fillestar, analizat tregojnë se fondet publike për shëndetësinë vazhdojnë të mbeten ndër më të ulëtat në Rajon, me vetëm 2.8% të PBB-së dhe 9.6% të shpenzimeve të përgjithshme publike. Për më tepër, më shumë se 51% e shpenzimeve për kujdes shëndetësor vijojnë të përballohen nga xhepi i qytetarëve.

Në mënyrë të veçantë, raporti evidenton se financimi për Kujdesin Shëndetësor Parësor është ulur me 245 milionë lekë gjatë vitit 2024, pa ndonjë analizë apo shpjegim zyrtar nga autoritetet për arsyet e këtij reduktimi. Kjo është veçanërisht shqetësuese, duke qenë se në këtë kategori është përfshirë edhe një shërbim i ri – kujdesi shëndetësor në banesë për pacientët me pamundësi në lëvizje – që do të duhej të shoqërohej me një rritje të fondeve.

Raporti ngre gjithashtu shqetësime lidhur me financimin e vazhdueshëm të koncesionit të check-up-it, i cili vazhdon të bazohet në numrin e planifikuar të përfituesve dhe jo në numrin real të qytetarëve që e marrin shërbimin. Vetëm për vitin 2024, janë paguar 23.8 milionë lekë për 13,624 qytetarë që nuk e kanë përfituar realisht shërbimin.

Heqja për të dytin vit radhazi e mbështetjes financiare për produktin “Pacientë me Sindromën Down” në programin e kujdesit shëndetësor dytësor, pa asnjë shpjegim apo justifikim nga autoritetet, ngre shqetësime serioze. Mungesa e transparencës lidhur me arsyet e këtij vendimi mund të ketë pasoja të rëndësishme për aksesin në kujdesin e nevojshëm shëndetësor për një kategori që kërkon ndjekje të vazhdueshme dhe të specializuar, si dhe rrezikon të thellojë pabarazitë në sistemin shëndetësor.

Gjetjet e raportit “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë për vitin 2024”, realizuar nga shoqata Together for Life, me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy, u ndanë në një tryezë të rrumbullakët në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve, të organizatave të pacientëve dhe organizatave që veprojnë në fushën e transparencës dhe llogaridhënies, ekspertë të fushës, media.

Përfaqësuesja e Avokatit të Popullit znj. Lindita Xhillari, pjesëmarrëse në tryezë, vlerësoi rolin e raporteve të TFL në procesin e hartimit të rekomandimeve institucionale: “Raportet tuaja janë shumë të detajuara dhe kanë qenë një pikë reference për rekomandimet që Avokati i Popullit i  adreson Ministrisë së Shëndetësisë çdo vit. Gjetjet që keni paraqitur janë specifike dhe të ndryshme nga natyra e punës sonë, por do të përfshihen në punën tonë të ardhshme.” Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek mungesa e të dhënave mbi buxhetin për fëmijët me Sindromën Down, përfaqësuesja e Avokatit të Popullit theksoi se problematika e evidentuar në raport për heqjen e buxhetit për pacientët me Sindromën Down “do të jetë në fokus për monitorim dhe për ushtrim presioni pozitiv për zgjidhje.”

Emerlinda Pemapërfaqësuese e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, vlerësoi rolin e raportit në rritjen e transparencës: “Raporte të tilla janë të vlefshme jo vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet. Gjetjet dhe rekomandimet tuaja lexohen me shumë vëmendje nga ana jonë.” Ajo shtoi se, bazuar në raportet e TFL, gjatë këtij viti janë dhënë 12 rekomandime për programet e transparencës në spitalet publike, për të siguruar publikimin e buxheteve vjetore, rezultateve të auditimeve dhe planeve të prokurimeve. “Ne mbikëqyrim zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit dhe tashmë edhe të ligjit të ri për të dhënat e hapura. Ky ligj kërkon që çdo e dhënë publike të publikohet në format ‘open data’, në mënyrë që studiuesit dhe qytetarët të kenë akses të plotë.”

Raporti ofron një bazë të vlefshme për institucionet e pavarura, të cilat kanë në fokus të punës së tyre mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku e drejta për akses në shërbimet shëndetësore publike është një ndër të drejtat bazë, si dhe vjen si një thirrje për institucionet përgjegjëse, në mënyrë të veçantë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që të rrisin përgjegjshmërinë në menaxhimin e fondeve publike në sektorin e shëndetësisë me qëllim arritjen e objektivit parësor për mbulim universal shëndetësor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko