Policia e Fierit ka njoftuar një sërë arrestimesh dhe procedimesh penale gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të goditjes së veprimtarive të paligjshme në territor.
Në Lushnjë, u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 25 vjeç, banues në këtë qytet. Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi disa doza me lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, të gatshme për shitje. I riu akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në Fier, u arrestua shtetasi A. Z., 50 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Testi i alkoolit konfirmoi praninë e alkoolit mbi normat e lejuara.
Në një tjetër rast në fshatin Golem i Madh (Lushnjë), shtetasi S. B., 25 vjeç, u arrestua në flagrancë, ndërsa babai i tij Th. B., 65 vjeç dhe shtetasi M. C., 70 vjeç, janë proceduar penalisht. Të tre personat dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me sende të forta për motive të dobëta. Gjatë sherrit, automjeti i 70-vjeçarit është dëmtuar.
Një ngjarje tjetër shqetësuese u shënua në Himarë, ku një 14-vjeçar dyshohet se ka kanosur me mjet prerës një 11-vjeçar nga Lushnja. Materialet janë referuar në Prokurori dhe ndaj të miturit është nisur procedim penal për “Kanosje”.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariateve të Policisë Fier dhe Mallakastër referuan materiale në Prokurori për tre shtetas të tjerë: P. A. (58), M. Ç. (51), dhe T. Ç. (61), të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të ndërtimeve të paligjshme.
Materialet procedurale për të gjitha rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.