Një operacion i shpejtë dhe i koordinuar i Policisë Kufitare dhe i strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë ka bërë të mundur shpëtimin e dy shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për jetën në detin Adriatik.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të datës 28 qershor 2025, kur Salla Operative e Policisë mori njoftim se një mjet lundrues kishte pësuar defekt përballë plazhit “Rana e Hedhun” dhe, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, ishte larguar ndjeshëm nga bregu, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në bord.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Shëngjinit, të mbështetura nga mjetet lundruese dhe Jet Ski të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ndërhynë menjëherë në vendngjarje.
Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve të koordinuara, mjeti lundrues u tërhoq në mënyrë të sigurt deri në portin e Shëngjinit, ndërsa dy personat në bord u nxorën në breg në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare thekson se vijon angazhimin maksimal për sigurinë në hapësirat ujore dhe tokësore, si dhe për ofrimin e ndihmës në çdo rast emergjence, sidomos gjatë sezonit turistik me fluks të lartë pushuesish në zonat bregdetare.