Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kalabri ku u takua me komunitetin arbëresh në disa komuna të këtij rajoni, si: Andali, Marceduza, Cervicati, Mongrassano, Platacci, Santa Caterina Albanese, Frascineto, San Demetrio Corone, San Benedetto Ullano, San Cosmo Albanese, Castroregio dhe Cerzeto.
Gjatë takimeve, Kreu i Shtetit e cilësoi komunitetin arbëresh si një urë lidhëse historike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë, një bashkësi që mban gjallë gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar në zemër të Italisë.
“Këtu gjithçka flet për një lidhje të përjetshme, që bashkon në mënyrë të pandashme Shqipërinë dhe Italinë, dy kombe me rrënjë dhe ideale të përbashkëta”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Presidenti vlerësoi rolin e komunitetit arbëresh në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor ndër shekuj, duke theksuar se çdo përpjekje për të ruajtur gjuhën arbëreshe është një investim për të ardhmen.
“Mos harroni se çdo herë që një fëmijë dëgjon një fjalë në arbërisht, ringjallet një pasuri e çmuar shpirtërore. Ju jeni rrënjët, fëmijët dhe nipërit tuaj janë filizat e së ardhmes së Kalabrisë, të Shqipërisë dhe Italisë,” – tha ai.
Ai përmendi me respekt figura të ndritura të kulturës arbëreshe si poeti Zef Serembe dhe patrioti Terenc Toçi, duke i quajtur dëshmi të angazhimit të këtij komuniteti në mbrojtjen e identitetit dhe zhvillimin e Shqipërisë moderne.
Presidenti Begaj theksoi se kjo marrëdhënie e thellë shpirtërore mes dy vendeve duhet të përkthehet në projekte konkrete bashkëpunimi në fushën ekonomike, arsimore dhe kulturore. Ai ftoi aktorë publikë dhe privatë nga të dy vendet që të forcojnë partneritetet në turizëm, bujqësi dhe artizanat, si dhe të nxisin shkëmbimet mes të rinjve dhe artistëve.
“Të ndërtojmë partneritete të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Italisë, sepse vetëm kështu miqësia jonë do të bëhet më e fortë dhe më e qëndrueshme,” – theksoi ai.
Në kuadër të kësaj vizite, Presidenti njoftoi se tre komuna arbëreshe do të kenë së shpejti në sheshet e tyre bustet e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si simbol i përkatësisë dhe krenarisë shqiptare.
Nga këto sheshe, Presidenti Begaj përcolli një mesazh të fortë europian:
“Besoj te forca e kësaj miqësie, te vëllazëria dhe te këta tre flamuj që valëviten së bashku: flamuri shqiptar, flamuri italian dhe ai i Bashkimit Europian. Bashkë jemi më të fortë.”
Presidenti ndau gjithashtu angazhimin institucional për përgatitjen dhe dorëzimin në UNESCO të dosjes për “Motin e Madh”, një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore gjuhësore dhe fetare të arbëreshëve.