Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nis sot gjykimi në themel për çështjen e njohur si “privatizimi i ish-kompleksit sportiv Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Të dy akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të “korrupsionit” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”, në lidhje me mënyrën e privatizimit të një sipërfaqeje toke në zonën e ish-kompleksit sportiv në Tiranë. Hetimet për këtë çështje kanë zgjatur prej vitesh dhe janë zhvilluar nga SPAK.
Në një deklaratë për mediat, Jamarbër Malltezi i cilësoi akuzat si të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
“Kjo është një gjueti shtrigash, qesharake, sepse gënjyen dhe thanë që toka ishte e shpronësuar, por doli që toka është e pronarëve. Nuk ka asnjë letër sesi u bë shteti pronar. Ndërkohë që është dokumenti që prej 100 vitesh ajo është tokë e këtyre 5 familjeve”, u shpreh Malltezi.
Si Berisha, ashtu edhe dhëndri i tij kanë mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat, duke i konsideruar ato si sulme politike dhe përndjekje nga mazhoranca.
