Kuvendi i Kosovës nuk arriti përsëri të konstituohet, duke regjistruar dështimin e 40-të në përpjekjet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Edhe këtë herë mungoi kuorumi i nevojshëm për krijimin e Komisionit Zgjedhor që do të zgjidhte kryeparlamentarin. Nga 100 deputetë të pranishëm, vetëm 51 votuan pro, ndërsa pjesa tjetër nuk morën pjesë fare në votim, pa asnjë abstenim apo votë kundër.
Ky bllokim i vazhdueshëm ka shkaktuar pakënaqësi të madhe publike dhe politike, pasi vendi po qëndron tashmë pesë muaj pa institucione funksionale. Përfaqësuesit e partive i hedhin fajin njëri-tjetrit për bllokadën. Para seancës, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për mosnjohje të Kushtetutës dhe mosrespektim të vendimeve të Kuvendit.
