Gazetarja Alba Kepi, e ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë për FaxNews, ka treguar rreth situatës që po përjeton Italia si pasojë e kushteve ekstreme të motit.
Ajo e ka cilësuar shtetin italian të ndarë në dy realitete të kundërta, përmbytje dhe reshje të dendura në veri, dhe temperatura përvëluese në jug.
“Italia duket sikur është ndarë më dysh,” – tha Kepi. “në veri kemi ulje drastike temperaturash dhe mot të keq me pasoja të rënda, ndërsa jugu përfshihet nga një valë e të nxehtit.”
Sipas Kepit, një viktimë është raportuar në rajonin e Lombardisë, si pasojë e rrëzimit të një peme nga erërat e fuqishme.
Situata ka detyruar autoritetet të aktivizojnë emergjencat civile dhe të shpallin gjendje alarmi në disa zona.
Zyra Meteorologjike Kombëtare e Italisë ka përditësuar paralajmërimet, duke ngritur alarme të nivelit mesatar dhe të lartë në veri, veçanërisht në Piemonte, Lombardi dhe Emilia-Romagna. Për këtë situatë Kepi është shprehur se janë marrë masa të menjëhershme për sigurinë publike, përfshirë hartimin e manualeve për transportin publik, urat dhe sistemet nën tokë.
Nga ana tjetër, Kepi raportoi se jugu i vendit, po përballet me temperatura që në disa raste kanë kaluar edhe 40°C.
Duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, duke prishur ciklet e mbjelljeve.
“Moti ekstrem po krijon pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale,” – theksoi gazetarja, duke shtuar se autoritetet janë në gatishmëri të plotë dhe kërkojnë bashkëpunim maksimal nga qytetarët.
