Skip to content

Dy ish-kryeministra izraelitë kundërshtojnë planin e Netanyahut për një “qytet humanitar” në Gaza: “Është pjesë e spastrimit etnik”.

rafah ef mak

Ish-kryeministrat izraelitë, Yair Lapid dhe Ehud Olmert, e kritikuan ashpër planin: “Nuk ka të bëjë me shpëtimin e palestinezëve, por me dëbimin e tyre”.

Dy politikanë izraelitë kanë folur kundër planit të Benjamin Netanyahut për të ndërtuar një “qytet humanitar” në jug të Gazës, duke thënë se kjo do të përbënte një “kamp përqendrimi” për palestinezët, raporton Al Jazeera.

Ish-kryeministrat izraelitë, Yair Lapid dhe Ehud Olmert, e kanë kritikuar ashpër planin, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë të bombardojnë Gazën, duke vrarë të paktën 95 palestinezë gjatë gjithë ditës.

“Është një ide e keqe nga çdo perspektivë: sigurie, politike, ekonomike, kontabiliteti”, tha Lapid, udhëheqës i partisë më të madhe opozitare të Izraelit, duke i thënë radios ushtarake izraelite se “asgjë e mirë” nuk do të vinte nga planet për të ndërtuar “qytetin humanitar” mbi rrënojat e qytetit të Rafah.

“Nuk preferoj ta përshkruaj si një qytet humanitar , por si një kamp përqendrimi, nëse të ndalohet të largohesh prej tij, atëherë është një kamp përqendrimi”, shtoi ai.

Lapid shërbeu si Kryeministër Izraelit për gjashtë muaj në vitin 2022.

Operacionet e IDF-së intensifikohen në Rafah: “Është pjesë e spastrimit etnik”

Sipas qeverisë izraelite, “qyteti humanitar” fillimisht do të strehojë 600,000 refugjatë palestinezë që aktualisht jetojnë në tenda në zonën al-Mawasi, përgjatë bregdetit jugor të Gazës. Megjithatë, e gjithë popullsia e enklavës, që numëron mbi dy milionë, përfundimisht do të zhvendoset atje, thotë qeveria e Netanyahut.

Imazhet satelitore tregojnë se forcat izraelite kanë intensifikuar operacionet e prishjes në Rafah në muajt e fundit. Që nga 4 prilli, numri i ndërtesave të shkatërruara ishte afërsisht 15,800. Deri më 4 korrik, numri ishte rritur në 28,600.

Olmert, i cili shërbeu si Kryeministër Izraelit nga viti 2006 deri në vitin 2009, gjithashtu e dënoi planin izraelit. “Është një kamp përqendrimi. Më vjen keq”, i tha ai gazetës Guardian.

“Nëse [palestinezët] deportohen në ‘qytetin e ri humanitar’, atëherë mund të thuhet se kjo është pjesë e spastrimit etnik”, tha ai. “Kur ata ndërtojnë një kamp ku planifikojnë të ‘pastrojnë’ më shumë se gjysmën e Gazës, atëherë interpretimi i pashmangshëm i kësaj strategjie është se nuk ka të bëjë me shpëtimin e [palestinezëve]. Ka të bëjë me dëbimin e tyre, dëbimin e tyre dhe shtyrjen e tyre prapa. Të paktën unë nuk mund ta interpretoj ndryshe”, vazhdoi ai.

Çfarë përfshin plani izraelit?

Sipas një raporti në gazetën Haaretz javën e kaluar, Israel Katz tha se kishte urdhëruar ushtrinë izraelite të përgatitej për të ngritur një kamp në rrënojat e Rafah.

Ai e përshkroi kampin si një “qytet humanitar”. Palestinezët do t’i nënshtrohen një “kontrolli sigurie” para se të hyjnë dhe nuk do të lejohen të largohen.

Perimetri i zonës do të kontrollohet nga forcat izraelite. Fillimisht, 600,000 palestinezë, kryesisht persona të zhvendosur, që aktualisht jetojnë në al-Mawasi, do të zhvendosen në kamp. Më pas, qëllimi i Izraelit është të zhvendosë të gjithë popullsinë në kamp për të zbatuar “planin e tij të migrimit”.

Benjamin Netanyahu, si dhe disa politikanë izraelitë, e kanë mbështetur hapur zhvendosjen e popullsisë palestineze, duke e paraqitur atë si një iniciativë amerikane, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump më parë këtë vit propozoi që palestinezët të largohen masivisht për të “pastruar” Gazën.

Përshtati në Shqip S