Pas shuarjes së dy vatrave të mëdha të zjarrit në zonën e Drenovës, një vatër e re është aktivizuar pasditen e sotme, e ndihmuar nga era e fortë që po përfshin rajonin.
Burime nga terreni raportojnë se flakët në këtë vatër të re janë mjaft të vështira për t’u vënë nën kontroll, për shkak të terrenit të thepisur dhe të pakalueshëm për mjetet zjarrfikëse.
Pritet rikthimi i ndërhyrjes nga ajri përmes helikopterit, i cili më herët kishte ndihmuar në izolimin e përhapjes së flakëve. Në rast se ndërhyrja nga ajri nuk do të jetë e mundur, autoritetet po shqyrtojnë kërkesën për ndihmë nga Forcat e Armatosura, për të bërë të mundur ndërhyrjen në një zonë ku ndërhyrja tokësore është pothuajse e pamundur.
Ndërkohë, flakët që prekën kodrat e Belishovës si pasojë e përhapjes së zjarrit nga Drenova janë vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse dhe të forcave operacionale në terren.
Autoritetet mbeten në gatishmëri dhe u bëjnë thirrje banorëve të zonës të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast rreziku.
