Skip to content

Pse ka ende frikë nga media në disa institucione shëndetësore publike?

hudhra 4

Një episod i papranueshëm për një institucion shëndetësor publik është regjistruar ditën e sotme në ambientet e Poliklinikës së Fierit. Një grup gazetarësh, të pajisur paraprakisht me autorizim nga Drejtoria e Spitalit Rajonal Fier, janë përballur me një qasje armiqësore, fyerje dhe sjellje intimidimi nga ana e disa punonjësve të këtij institucioni.

Qëllimi i tyre? Thjesht të informonin publikun mbi ndikimin e temperaturave të larta në shëndetin e qytetarëve – një shërbim mediatik me interes të gjerë publik, në një periudhë kur termometri ka kaluar çdo kufi normal.

Por, në vend të bashkëpunimit, gazetarët hasën përçmim, komente fyese dhe arrogancë nga disa infermierë dhe punonjës të poliklinikës. Kjo sjellje tregon se transparenca, për fat të keq, mbetet ende një koncept i huaj në disa institucione publike.

Disa punonjës shkuan deri aty sa të japin “leksione” se ku duhet të shkojnë gazetarët dhe çfarë duhet të raportojnë, duke pohuar se “këtu çdo gjë shkon vaj”, si të ishin zëdhënës e jo shërbyes të shëndetit publik.

Çfarë ka për të fshehur ky institucion?

Pse ka kaq shumë shqetësim ndaj pranisë së medias?
A është frika se kamerat mund të zbulojnë mungesën e etikës dhe përkushtimit profesional? Apo sepse mund të kapin aksidentalisht në kamera ndonjë zarf të fshehtë, zhubrosur në xhepin e bluzave të bardha?
Apo është shqetësimi se mund të preket sistemi paralel “klient-mjek” që ndërtohet në heshtje, larg syve të publikut?

Kjo nuk është hera e parë që gazetarët përballen me pengesa në Spitalin dhe Poliklinikën e Fierit. Prandaj, me të drejtë lind pyetja publike: Çfarë ka për të fshehur ky institucion publik nga qytetarët që e mbajnë me taksat e tyre?

Transparenca nuk është luks, është detyrim

Nëse një institucion ofron shërbim cilësor dhe etik, nuk ka arsye të trembet nga prania e kamerave. E kundërta ndodh kur ndërgjegjja është e rënduar nga abuzimi, korrupsioni apo paaftësia.

Frika ndaj medias shpesh është pasojë e një ndërgjegjeje të ndotur.

Në një sistem publik, transparenca nuk është zgjedhje – është detyrim. Dhe qytetarët kanë të drejtë të informohen, të shohin e të kuptojnë se çfarë ndodh pas dyerve të një institucioni që ekziston falë kontributeve të tyre.

Burimi Shqipëria do Bëhet