Skip to content

Radhë të gjata me automjete në kufi, pala greke punon me ritme të ngadalta

Situata problematike në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës vijon të përkeqësohet, teksa qytetarët po përballen me pritje të gjata, temperatura përvëluese dhe mungesë reagimi nga autoritetet greke në doganën e Mavromatit.

Ndërsa pala shqiptare po punon me tre sportele aktive dhe po përpunon çdo automjet brenda pesë minutash, vonesat e mëdha vijnë nga pala greke, ku përpunimi i një mjeti zgjat deri në një orë. Si pasojë, pritjet për qytetarët shkojnë deri në tre orë.

Burime nga pika kufitare bëjnë të ditur se vetëm gjatë ditës së sotme kanë kaluar kufirin nga pala shqiptare rreth 1500 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe 900 automjete. Fluksi është rritur ndjeshëm për shkak të sezonit turistik dhe emigrantëve që kthehen në vend për pushime.

Qytetarët janë të irrituar dhe të lodhur nga vonesat, ndërsa temperaturat e larta të muajit korrik e bëjnë pritjen edhe më të vështirë. Kjo situatë përsëritet prej disa ditësh, pa ndonjë ndërhyrje apo reagim konkret nga pala greke për të përshpejtuar procesin.

“”