Skip to content

“Sa nuk është përleshur fizikisht me një gjykatëse, Dumani i rrëmbeu kompjuterin”, GJKKO reagon pas deklaratës së Berishës

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve në disa media për një konflikt të supozuar institucional mes drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, dhe një gjyqtareje të kësaj gjykate, në lidhje me çështjen penale të njohur si dosja “Partizani”.

Në një njoftim për mediat, gjykata mohon kategorikisht ekzistencën e çdo përplasjeje apo tensioni me Prokurorinë e Posaçme, duke theksuar se një konflikt i tillë “nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar ndonjëherë”.

“Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,” – thuhet në deklaratë.

Sipas gjykatës, raportet me Prokurorinë dhe të gjitha palët në proces janë të bazuara në respektimin e kompetencave dhe rolit që parashikon ligji, duke garantuar zhvillimin e një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

“Asnjë ndërhyrje nuk do të tolerohet”

Gjykata ka theksuar edhe një herë pavarësinë dhe paanësinë e saj, duke kujtuar se çdo ndërhyrje në punën e gjyqësorit përbën një shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor.

“Gjyqtarët gjykojnë mbi bazën e provave, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Çdo ndërhyrje përbën cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve.”

Gjykata e Posaçme rithekson angazhimin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë dhe të pavarur, dhe i bën thirrje mediave të kontribuojnë me raportim të saktë dhe profesional, për të mbështetur forcimin e shtetit të së drejtës.