Bota arabe është zhytur në zi nga vdekja e Al-Waleed bin Khaled bin Talal, të cilin media ndërkombëtare e quajti “Princi i Fjetur”. Burri fatkeq me një jetë tragjike ndërroi jetë të shtunën e kaluar në moshën 36 vjeç, pasi kaloi dy dekadat e fundit në koma.
I ndjeri ishte ë një gjendje të zgjatur pa ndjenja që nga viti 2005, për shkak të lëndimeve të rënda në kokë që kishte pësuar në një aksident të rëndë me makinë në Britani, ku kishte shkuar për të studiuar në një akademi ushtarake.
Pas aksidentit të tij, adoleshenti atëherë 15-vjeçar u transferua në Qytetin Mjekësor të Mbretit Abdulaziz në Riad, ku do të trajtohej për dy dekadat pasuese nën mbikëqyrjen e një ekipi të specializuar mjekësor, duke pasur gjithmonë pranë prindërit e tij të përkushtuar, të cilët nuk e humbën kurrë shpresën.
Babai i tij, Princi Khaled bin Talal Al Saud, dhe nëna e tij, princesha Reema, gjithmonë besonin se një mrekulli mund të ndodhte. Në deklaratat e mëparshme, princesha Reema kishte theksuar se “shpirti i djalit të saj është ende i pranishëm“, ndërsa Princi bin Talal Al Saud, i cili kishte refuzuar kategorikisht ta shkëputte djalin e tij nga mbështetja në jetë, tha se Fuqia më e lartë që e mbajti gjallë mund ta shërojë një ditë.
Për të gjitha këto vite, i riu mbahej në mbështetje mekanike për frymëmarrjen e tij dhe ushqehej përmes një tubi ushqimor. Lëvizjet e tij të fundit të regjistruara ishin në vitin 2019, kur thuhet se ai reagoi pak me lëvizje të vogla, të tilla si ngritja e një gishti ose lëvizja e lehtë e kokës. Megjithatë, pavarësisht këtyre shenjave inkurajuese, i riu nuk doli kurrë nga koma.
Më 18 prill, me rastin e ditëlindjes së tij të 36-të, e cila do të ishte e fundit, mediat sociale u përmbytën me urime, lutje dhe mesazhe shprese për princin, i cili, sipas Roya News, kishte qenë një simbol i besimit të palëkundur për miliona njerëz gjatë gjithë këtyre viteve.
Nëna e tij, princesha Reema bin Talal, kishte publikuar foto të djalit të saj në X, duke shkruar në mbishkrim: “I dashuri im Al-Waleed bin Khaled, 21 vjet pas (aksidentit) ti mbetesh i pranishëm në zemrat tona dhe në lutjet e të gjithë atyre që të duan. Zoti im, shëroje shërbëtorin Tënd Al-Waleed. Askush nuk e di dobësinë e tij përveç Teje, Zotit të qiejve dhe të tokës.” /tesheshi.com/



