Skip to content

Tiranë/ Shërbime dentare me preparate të skaduara, në pranga administratori dhe një stomatolog

Një aksion i policisë së Tiranës ka vënë në pranga administratorin e një klinike dentare dhe një stomatolog, pasi është zbuluar se kryenin shërbime dentare, duke përdorur preparate të skaduara. Gjithashtu janë proceduar 12 punonjës klinikë, ndërsa janë sekuestruar preparate dhe materiale që përdoreshin për këto shërbime që ishin të skaduara.

Në pranga kanë rënë Ervin Zeka 40 vjeç, dhe shtetasi Kejdi Myzyri 26 vjeç.

Ambientet e subjektit ndodheshin në rrugën e Kavajës në Tiranë, dhe ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.